.
×

Tomë Gashi tregon të rejat nga hetimi ndaj Loredanës në Zvicër



Avokati i Loredanës, Tomë Gashi ka treguar se si ka rrjedhur rasti i klientës së tij, e cila po akuzohet dhe po hetohet në Zvicër për mashtrim, detyrim dhe kërcënim.

Gashi beson se rasti i Loredanës mund të hetohet si rast civil dhe jo penal.

“Ne besojmë që rasti më tepër ka konotacion civil, civilo-juridik, sepse kemi të bëjmë me çështje të parave për të cilat sigurisht që mund të gjendet një lloj zgjidhjeje. Meqenëse kemi të bëjmë me një rast që ka nis në vitin 2016 dhe tentativa ka qenë që të zgjidhet edhe në vitin 2018 kur Prokuoria në Zvicër e ka refuzu faktikisht kërkesën për hetim penal. Pastaj, në fund besoj që mund të jetë definitivisht rast civil, por jo penal. Por sido që të jetë, meqenëse rasti është duke u hetu prej prokurorit kompetent në Luzern, duhet ta presim vendimin e tij”, ka thënë Gashi për Insajderin.

Avokati gjithashtu ka parashikuar zgjidhjen që mund të gjendet sipas tij në rastin e Loredanës, e cila akuzohet nga një çift zviceran se ua mori atyre dhjetëra-mijëra franga, gjë të cilën nuk e mohoi as vetë reperja në konferencën për media në Prishtinë.

“Mundet me pasë një zgjidhje për këtë rast. Unë besoj që zgjidhje rreth… së pari rreth identifikimit se kush sa ka marrë borxhe, në çfarë mënyre janë marrë dhe në çfarë mënyre duhet të kthehen ato, nëse duhet të kthehen. Por rasti fillestar nuk është diçka.. Deklarimet që i ka dhanë nuk është diçka që di as unë, meqenëse Zvicra nuk lejon si prokurorët e Kosovës që të rrjedhin informatat, por ata e kryejnë punën e vet, e ne duhet t’i presim rezultatet e hetimit. Të kishte qenë një rast i karakterit penal më të randë, sigurisht se deri tash do të kishte pasoja shmë më të mëdha. Mundet me u zgjedhë një zgjidhje që rasti eventualisht me qenë rast civilo-juridik, jo penalo-juridik, por kjo është vetëm një prej pikënisjeve të mbrojtjes së saj”, ka thënë Gashi.

Por Gashi nuk ka pranuar ta parashikojë vendimin që do ta marrin autoritetet e Zvicrës për këtë rast.

“S’mujna me t’i dhanë, s’mujna me t’i dhanë në media. Kjo është çështje ligjore, nuk është çështje mediale”.

Gashi ka dhënë një sqarim interesant në pyetjen se pse në rastet kur ai mbronte klientët e tij në Kosovë, deklarohej dhe parashikonte vendimet e gjykatës.

“Për rastet në Kosovë jemi deklaru sepse kemi pasë shkresa të rastit. Edhe sigurisht që për këtë rast s’mundemi me u deklaru sepse ka të bëjë me një kompetencë të një shteti tjetër, i cili është shumë ma serioz se shteti i Kosovës në aspektin e prokurorisë”, ka thënë avokati.

Përveç Loredanës, çifti zviceran pretendon se edhe familjarë të saj, si dhe vëllai i bashkëshortit të saj, Mozzikut, Gettinjo, kanë marrë para nga ta.

Në bazë të ligjeve në Zvicër, nëse vërtetohen akuzat ndaj saj, Loredana mund të dënohet me deri në 5 vjet burgim