.
×

Thaçi tregon çka i tha Putini në takimin e tyre në Paris



Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka folur për pozicionimin e Rusisë në negociatat që po vazhdojnë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk mund të flasë në emër të Rusisë dhe as të presidentit të tyre, Vladimir Putin, por mund ta ritheksoj atë që unë kam biseduar në një takim të shkurtër në Paris, me presidentin [Vladimir] Putin. Në pyetjen time se në rast se arrihet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë cili do të jetë pozicioni juaj dhe i Rusisë, ai më ka deklaruar shumë qartë se do të jetë një rol mbështetës i tij dhe i Rusisë për arritjen e marrëveshjes eventuale Kosovë-Serbi”, tha presidenti Thaçi për Klan Kosovën.

“Unë e kam pyetur se a mund ta publikojë një gjë të tillë dhe më tha ‘ok’. Pas dy ditësh, zëdhënësi i Kremlinit e ka deklaruar të njëjtën gjë”.

“Në pyetjen time të dytë se çfarë nëse arrihet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë atëherë cili do të jetë pozicioni i Rusisë në Këshill të Sigurimit, sa i përket çështjes së vetos, më tha se [nuk mund të sillemi më serbë sesa vetë Serbia”. “Nëse e respektojnë deri në fund, është një pozicion më reflektues se sa që ka qenë ai më herët, bllokues, i vitit 2007 për dokumentin e presidentit Ahtissari dhe më kreativ”.

“Se sa do ta respektojnë deri në fund nuk mund t’i japë as zotim dhe as shpresë as askujt”. Thaçi ka thënë se Rusia nuk mund të jetë e përfshirë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Procesi i negociatave do të vazhdojë të udhëhiqet nga Bashkimi Evropian, me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me lehtësime dhe ekspertizën e nevojshme kur kërkohet, ose nga BE ose nga palët, por nuk mund të kthehemi prapa”. Madje i pari i vendit ka thënë se ka pas vazhdimisht insistime nga Serbia që Rusia të jetë pjesë e këtyre negociatave.

Sipas tij, përgjigjen ndaj këtij insistimi të Serbisë tash duhet ta japë Ekipi Negociator i Kosovës. “Insistime të tilla kanë ndodhur më herët por tash i mbetet Ekipit Negociator të Kosovës të japë përgjigje në konsultim me institucionet e vendit por përgjigja dihet”, tha ai.