.
×

Thaçi tregon arsyet se pse e votuan Gjykatën Speciale



 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalimin e fundvitit para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka potencuar se ndihet krenar me Forcat e Sigurisë së Kosovës, shkruan sot, gazeta Zeri.

Thaçi gjithashtu ka thënë se Kosova duhet ta themelojë ushtrinë e saj në partneritet me NATO-n.
Ndërkaq sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale, Thaçi tha se kjo gjykatë është votuar në mënyrë që Kosova ta ruajë partneritetin me OKB-në.

Sipas presidentit Thaçi, FSK-ja me pjesëtarët e saj mund të bëjë edhe shumë më tepër, pavarësisht sfidave nëpër të cilat është duke kaluar vendi.

“Duhet të jemi të sinqertë se Kosova sot është duke kaluar sfida jo edhe aq të lehta. Edhe pse sot ne funksionojmë si shtet, prapë ka shumë për të bërë. Jemi në një start shumë të hershëm të tranzicionit, por nuk jemi ende aty ku dëshirojmë. Sfida të mëdha kemi përpara, por nëse punojmë së bashku ne mund t’i tejkalojmë”, ka thënë ndër të tjera presidenti Thaçi, shkruan Zeri.
Ai gjithashtu ka thënë se këto janë tema jo të lehta, porse jemi pikërisht për t’u marrë me tema të vështira, duke iu referuar kështu Gjykatës Speciale.

“Bashkësia ndërkombëtare e ka imponuar themelimin e saj. Institucionet tona e kanë pranuar një gjë të tillë sepse në të kundërtën ne do të ishim të pafuqishëm ta parandalonim themelimin e një gjykate tjetër ndërkombëtare nën ombrellën e OKB-së. E votuam në atë kohë për ta ruajtur partneritetin me SHBA-në, BE-në dhe me NATO-n. Unë mendoj se Gjykata Speciale nuk do të mundë të arrijë të bëjë atë që e proklamon, ta forcojë ndjenjën e drejtësisë për viktimat e luftës. Sikur të kishte drejtësi të tillë çfarë trumbetohet nga faktori ndërkombëtar 100 gjykata speciale të këtilla do të duhej të bëheshin vetëm për krimet që Serbia e Millosheviqit i ka bërë në shtetet e Ballkanit dhe këtu në Kosovë”, ka thënë ai.

Paradoksi me të cilin ne ballafaqohemi është dëshpërues, sipas presidentin Thaçi. “E njëjta Serbi sot e ka derën e hapur për në BE, ndërsa Kosova mbahet e izoluar. Kosova dhe të gjithë ne e duam drejtësinë, por nuk pranojmë të diskriminohemi e të poshtërohemi në emër të saj vetëm e vetëm për t’i kënaqur ata që nuk e durojnë dot ekzistencën dhe suksesin e shtetit tonë”, ka thënë Thaçi.

Përmbylljen e këtij fjalimi presidenti Thaçi e bëri duke ritheksuar se Kosova dhe qytetarët e saj janë popull autokton evropian. “Kosova dhe qytetarët e saj janë popull autokton evropian, prandaj e ardhmja e jonë, duke përfshirë edhe vlerat që përfaqësojmë, është e natyrshme dhe e sigurt në kuadër të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe OKB-së”, ka përfunduar Thaçi.