.
×

Thaçi pas takimit te Mogherini: Serbia ende na konsideron pjesë të saj



Botapress, 18 Korrik

Presidenti Hashim Thaçi ka folur para mediave pas takimit që pati me Presidentin serb, Aleksander Vuçiq, me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini. Thaçi ka përsëritur disa herë se ky ishte takimi i tij më i vështiri që gjashtë vjet negociata me Serbinë, edhe pse zgjati vetëm pak minuta.

“Ka qenë më i shkurti dhe më i vështiri prej takimeve që kemi realizuar gjashtë vitet e fundit”, ka thënë presidenti Thaçi, transmeton BotaPress.

 

Thaçi ka treguar se në takimin e sotëm Vuçiqi shprehu qëndrimin se Kosova akoma shihet si pjesë e Serbisë.

 

“Serbia ende beson se Kosova është pjesë e tyre. Mashtrohen, gabohen shumë”, u shpreh presidenti.

 

Marrëveshja finale, sipas Thaçit, duhet të arrihet dhe ajo duhet të jetë e dobishme për të dyja vendet.

 

“Ne ende shpresojmë që do të arrijmë një marrëveshje finale që do të jetë e mirë për Kosovën për Serbinë dhe për investimin e BE-së”, ka thënë ai.

 

“Një marrëveshje që lehtëson të ardhmen e dy vendeve dhe popujve tanë, të sjellë mirëkuptim dhe pajtim. Pres vështirësi edhe më të mëdha, pres pengesa”.

 

Thaçi përsëriti disa herë se takimi me Vuçiqin sot ishte shumë i vështirë, por këso fryme pret edhe në vijim.

 

“Në javët dhe muajt e ardhshëm pres të jetë edhe më vështirë, por do të vazhdojnë negociatat”.

 

Në fund, Thaçi tha se Kosova pret njohje formale nga Serbia në fund të dialogut dhe anëtarësim në të gjitha organizatat ndërkombëtare.