.
×

Thaçi para takimit me Mogherinin: Sa më të bashkuar, aq më mirë dalim në dialog



Presidenti i Kosovës ka folur për media para takimit të liderëve të Ballkanit në Bruksel. HashimThaçi i ka dërguar porosi spektrit politik kosovar që të jenë të bashkuar në procesin e dialogut, sepse sipas tij, vetëm një gjë e tillë siguron një marrëveshje më të mirë me Serbinë.

“Sa më bashkarisht që të punojmë do të arrijmë marrëveshje më të mirë. Nëse jemi pozitë dhe opozitë është një avancim i Kosovës  në këtë proces”, ka thënë ai.

“Sa më të bashkuar, aq më mirë do të dalim në dialog”, ka shtuar ai.

Ai po ashtu ka thënë se SHBA-të kanë qenë të përfshira që nga fillimi në procesin e dilaogut, dhe se të gjithë shpresojnë që një marrëveshje e cila do të siguronte anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, do të arrihet në javët dhe muajt e ardhshëm.

“Ne mbështesim fuqishëm Bashkimin Evropian në procesin e dialogut të udhëhequr nga Mogherini. Të gjithë ata që kanë qenë dëshmitarë të këtij procesi e dijnë që SHBA-të kanë qenë të përfshira në dialog”, ka thënë Thaçi.

“Shpresoj se në javët dhe muajt e ardhshëm do të arrihet një marrëveshje që do të sigurojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Ne nuk guxojmë që këtë mundësi ta humbim ose ta lëmë të kalojë sepse do të paguajmë çmim të lartë”, ka shtuar tutje ai.

Ai ka folur edhe për liberalizimin e vizave, për të cilin proces ka thënë se vonesat janë padrejtësi ndaj Kosovës.

“Qeveria e Kosovës ka qenë në Bruksel dhe ata i kanë bërë të njohura mediumet e tyre. Liberalizimi i vizave është një proces të cilit askush nuk mund t’i ikë. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret”, ka thënë ai.

Takimi i liderëve të Ballkanit me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, pritet të mbahet në orën 13:30.