.
×

Thaçi: Nuk ka marrëveshje pa komunikim ndërmjet liderëve



Kryetari i PDK-së Hashim Thaçi pas përfundimit të simpoziumit të 13-të të Parlamentit Kulturor Evropian në një prononcim për media i ka ftuar të gjithë liderët që të ulen për të diskutuar rreth gjetjes së një zgjidhje në interes të vendit e të qytetarëve.

“Zgjidhja duhet të gjendet në përputhshmëri me rezultatin zgjedhor të 8 qershorit, të respektimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese. Sot i ftoj të gjithë liderët politik që të gjejnë vullnetin e mirë për t’u ulur, për të diskutuar, për të komunikuar dhe, duke komunikuar, për të gjetur zgjidhjen në interes të vendit e të qytetarëve që garanton qeveri stabile e efikase të funksionimit të standardeve evropiane”, ka deklaruar Thaçi.

Ai me tej ka thënë se zgjidhja duhet të bëhet përmes komunikimit dhe se komunikimi është abc-ja e demokracisë.

“Kjo mund të arrihet vetëm përmes vullnetit të lirë dhe unë i ftoj të takohemi, të bisedojmë dhe të gjejmë zgjidhje përmes marrëveshjes por nuk ka marrëveshje pa komunikim dhe komunikimi është baza apo abc-ja e demokracisë në vend”, ka shtuar Thaçi, raporton Zeri. I pari i PDK-së ka thënë se situata të pakëndshme ka pasur në Kosovë edhe në të kaluarën, por gjithmonë sipas tij ka pasur diskutime dhe është gjetur zgjidhja. Ndërsa i pyetur se cilin post të lartë do ta jepte PDK-ja me qëllim të arritjes se një marrëveshje me bllokun VLAN, Thaçi ka thënë se ofrojnë mundësi të takimit me liderët e partive tjera.

“Është mirë këtu që të kemi edhe mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtar, por inkurajojmë edhe presidenten të vazhdojë së lehtësuari këtë proces me takimet që po i organizon në zyrën e saj”.

“Ne ofrojmë mundësinë që të takohemi, të bisedojmë dhe në kuadër të këtij komunikimi të brendshëm ndërpartiak të gjendet zgjidhja, të arrihet marrëveshja, dhe me marrëveshje gjithmonë askush s’mund ta arrijë 100 për qind atë që e dëshiron”, është shprehur Thaçi.