.
×

Thaçi: Migrimi ilegal nuk do ta pengojë liberalizimin e vizave



Ministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Hashim Thaçi, në emisionin Info-Box të Radio Dukagjinit ka theksuar se ai ndihet shumë mirë që, tash në cilësinë e ministrit të Punëve të Jashtme, e përfaqëson shtetin e Kosovës në takimet ndërkombëtare.

Ai ka njoftuar se të enjten ka zhvilluar takime në Këshillin e Evropës (KE), me sekretarin e përgjithshëm të KE-së, Thorbjorn Jagland, me të cilin diskutuan për hapat e mëtutjeshëm të Kosovës për anëtarësim të plotë ne KE.

“Shpresojmë që në tremujorshin e parë të vitit 2015, Kosova do të aplikojë për anëtarësim të plotë në KE, pasi që kemi siguruar dy të tretat e votave në këtë këshillë. Shpresoj se gjithçka do të shkojë mirë në mënyrë që Kosova, në një afat rekord, në krahasim më vendet tjera të rajonit, të anëtarësohet me të drejta të plota në KE”, ka thënë Thaçi, transmeton Telegrafi.

Ministri i Punëve të Jashtme, ka theksuar se për tu anëtarësuar plotësisht në këtë mekanizëm( KE), nevojitet plotësimi i disa kritereve që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut – me të drejtat e minoriteteve dhe me rendin dhe ligjin.

“Unë kisha kënaqësinë që të takohem me shefen e BE-së për Politikat e Jashtme, Federika Mogerini, me të cilën diskutuam për proceset që po kalon Kosova dhe rajoni. U pajtuam që të punojmë ngushtë për hapat e mëtutjeshëm të bashkëpunimit në mes Kosovës dhe BE-së. Pastaj e njoftova për formimin e qeverisë së re, ku u pajtuam që të intensifikohet puna për agjendën evropiane të Kosovës”, ka theksuar ai.

Thaçi ka sqaruar se në takimet me strukturat e BE-së, është diskutuar edhe për dialogun, për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ishte një pajtueshmëri që dialogu Kosovë-Serbi, të vazhdojë në nivelin më të lartë politik. Diskutuam edhe për formimin e Gjykatës Speciale, ku premtuam se Kosova do t’i kryej obligimet e saj. Diskutuam edhe për vazhdimin e reformave të tjera, si procesi i liberalizimit të vizave. Në tremujorin e ardhshëm presim që (Kosova) ta nënshkruajmë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA)”, ka njoftuar ai.

Thaçi ka thënë se Kosova do t’i kryej obligimet e saj përballë bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Gjykatën Speciale, duke shtuar se “është edhe në interesin e Kosovës që të lirohet nga kjo barrë e padrejtë që i është vënë asaj.

Ndërsa, nuk është diskutuar për periudhat kohore, se kur do të funskionalizohet kjo gjykatë”.

Ministri i Punëve të Jashtme ka folur edhe për migrimin ilegal të kosovarëve nëpër vendet e BE-së, duke theksuar se këto ngjarje (ikjet ilegale) nuk do të ndikojnë në dinamikën e liberalizimit te vizave për Kosovën.

“Mesazhi im është që qytetarët e Kosovës duhet t’i kthehen punës dhe jetës në vendin e tyre. E ardhmja evropiane e kosovarëve është në Kosovë, ka deklaruar Thaçi.