Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, presidenti Thaçi e ka njoftuar se transformimi i FSK-së do të bëhet hap pas hapi, në mënyrë të koordinuar dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Thaçi në këtë bisedë e ka siguruar sekretarin Stoltenberg se ndryshimi i misionit të FSK-së nuk do të ketë asnjë ndikim në rolin dhe misionin e NATO-s dhe KFOR-it në Kosovë.
Deklarata e plotë e presidentit Thaçi pas bisedës telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s:
Sot pranova një telefonatë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të cilin e falënderova për vizitën e tij në Kosovë, në fillim të muajit dhe për diskutimin konstruktiv që patëm, por diskutuam edhe për ndryshimet ligjore që Forca e Sigurisë së Kosovës të marrë kompetenca të shtuara në sektorin e sigurisë në Kosovë.
Në bisedë me sekretarin Stoltenberg theksova edhe një herë se përpjekjet dhe aspiratat e Kosovës që FSK-ja të transformohet në Armatë të Kosovës janë të njohura për partnerët tanë ndërkombëtarë.
Gjithashtu, shtova se tash e tri vite jemi përpjekur t’i bindim serbët që të jenë pjesë e procesit dhe ta përkrahin themelimin e Armatës së Kosovës. Por, ata kanë deklaruar se nuk do të votojnë kurrë dhe se janë direkt të dirigjuar nga Serbia, nga Beogradi.
Por, ne nuk mund të mbesim peng i vullnetit politik të Serbisë.
Gjithashtu, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s i tregova se FSK-ja do të mbetet e njëjtë, por do të ketë kompetenca të reja dhe mision të ri dhe kërkova që NATO-ja të vazhdojë bashkëpunimin me FSK-në.
Në bisedën telefonike me sekretarin Stoltenberg shpreha mirëkuptimin për shqetësimet e disa anëtarëve të NATO-s dhe qëndrimet e shteteve anëtare që ende nuk e kanë njohur Kosovën, të cilave megjithatë u jemi mirënjohës për punën e mrekullueshme që kanë bërë në Kosovë dhe për qëndrimin e vazhdueshëm konstruktiv karshi Kosovës.
Për transformimin e FSK-së, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s e njoftova se kjo do të bëhet hap pas hapi, siç është planifikuar me Rishikimin e Sektorit të Sigurisë që është bërë së bashku me bashkësinë ndërkombëtare.
Çdo gjë do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, që janë përpiluar së bashku me bashkësinë ndërkombëtare dhe Forca e Sigurisë e Kosovës do të mbetet forcë shumetnike dhe do të promovojë multietnicitetin si vlerë. Prandaj, ndryshimi i misionit të FSK-së nuk do të ndikojë në marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë.
Sekretarin Stoltenberg e sigurova se do ta respektojmë çdo marrëveshje të deritashme me NATO-n dhe se ndryshimi i misionit të FSK-së nuk do të ketë asnjë ndikim në rolin dhe misionin e NATO-s dhe KFOR-it në Kosovë.
Nuk do të ndryshojë as përkushtimi i Kosovës për të vazhduar dialogun me Serbinë.
Duke shprehur bindjen se çështja e transformimit të FSK-së është rritur pa nevojë, sekretarit Stoltenberg ia rikonfirmova se i tërë procesi do të jetë transparent, i koordinuar dhe jo i njëanshëm./