.
×

Tensione e grushta në Kuvendin e LDK-së në Mat, në Degën e Tretë, “Ibrahim Rugova”



Botapress, 16 Qershor – Delegatët e Kuvendit zgjedhor të LDK-së në Mat, e cila është pjesë e degës së tretë të kësaj partie e njohur si dega e presidentit Ibrahim Rugova, janë përleshur ashpër sot ndërmjet vete. Pas shpërthimit të rrahjes ndërmjet delegatëve të Kuvendit zgjedhor të LDK-së në Mat, e cila është pjesë e degës së tretë të kësaj partie, ka ndërhyrë edhe Policia e Kosovës. Me këtë rast, disa nga delegatët e kuvendit zgjedhor janë shoqëruar në polici.
Dhuna në degët e kuvendeve zgjedhore të kësaj partie në Prishtinë është duke vazhduar tash e sa kohë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se dje ka arrestuar një person, pasi që i njëjti përmes rrjeteve sociale Facebook, ka bërë kanosje ndaj simpatizueseve të një partie politike.
I njëjti është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti vazhdon të hetohet.
KosovaPress ka shkruar gjatë ditës se bëhet fjalë për anëtarin e degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mati, me inicialet B.G, pasi nëpërmjet rrjeteve sociale ka kërcënuar anëtarët e grupit tjetër nga po kjo parti.
Sipas burimeve të KosovaPress-it, anëtari i LDK-së, emri i të cilit është i njohur për redaksinë, po mbahet në paraburgim prej 48 orëve.
Përndryshe, në degën e tretë, e cili njihet si degë e Ibrahim Rugovës, janë dy grupe, njëri i Arban Abrashit dhe tjetri i Hazir Borovcit.
Pas pushimit të gjakrave në kuvendin e sotëm zgjedhor të nëndegës së LDK-së Mati në Prishtinë, janë zgjedhur edhe drejtuesit e kësaj nëndege.
Sherif Vrajolli është zgjedhur kryetar i nëndegës së LDK-së Mati në Prishtinë, ndërsa nënkryetar u zgjodh Kreshnik Hoxha, që të dy të krahut të Hazir Borovcit.
Zgjedhja e tyre erdhi pas ndërprerjes së punimeve të Kuvendit si pasojë e përleshjes së mbështetësve të Hazir Borovcit dhe atyre të Arban Abrashit, raporton ksp.
Vrajolli dhe Hoxha janë në mesin e personave të lënduar me këtë rast si pasojë e rrahjes.