.
×

Telekomi në prag të falimentimit, partitë nuk e përmendin fare në fushatë



Derisa kompania publike Telekom rrezikohet të shkojë drejt falimentimit, kjo temë si duket nuk po u leverdis partive politike që ta përmendin në fushatë. Në këto zgjedhje, asnjë nga partitë e koalicionet nuk po tregojnë se çka konkretisht kanë në plan për kompaninë që dikur ishte më profitabilja në vend. Ato nuk kanë kthyer përgjigje për këtë çështje.

Qeveria e Kosovës mbeti pa zot shtëpie bash në kohën kur një nga kompanitë, që dikur ishte më fitimprurësja për vendin, po shkonte rrugës së shpejtë drejt falimentimit.

Telekomi, që për disa u pa si strehim që prodhonte vende të reja të punës, po rrezikohet në vazhdimësi nga kontratat e dëmshme, e që llogaritë e saj kanë mbetur tash aktive vetëm edhe pak javë derisa për të njëjtat të vendosë Gjykata Themelore në Prishtinë.

Kjo situatë, megjithatë, nuk po ua prish shumë rehatinë politikanëve në vend, në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Për kompaninë të cilës ia proklamuan shumë shpesh privatizimin nuk kanë as ndonjë plan konkret që do të mundë ta nxirrte nga kriza, e nuk po e përmendin as zbrazjen e llogarive që mund të ndodhë pas dërgimit te përmbaruesi.

Gazeta ka dërguar te të gjitha partitë politike dhe koalicionet e deklaruara për këto zgjedhje pyetje për planet konkrete që parashohin në rast se fitojnë në zgjedhjet e 6 tetorit, si dhe planin ekonomik që kanë për këtë ndërmarrje.

Pavarësisht pritjeve, deri në momentin e publikimit të këtij lajmi asnjë nga partitë nuk ka kthyer përgjigje, të pyetur se çfarë kanë paraparë në plan-programin e tyre për Telekomin. Ato rrjedhimisht nuk kanë treguar nëse preferojnë ta çojnë kompaninë publike drejt privatizimit.

Derisa partive politike nuk po u leverdis të bëjnë fushatë me këtë temë, gjendja në Telekom po vazhdon të mbetet e njëjtë.

Kjo kompani ende po rrezikohet nga borxhi ndaj kompanisë Z-Mobile që e dërgoi atë te përmbaruesit. Pasi që e vetmja zgjidhje për Telekomin ishte kthimi i vendimit në Gjykatë, Themelorja në Prishtinë ende nuk ka marrë vendim për këtë temë.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi, në një përgjigje për Gazetën Express ka deklaruar se rasti është ende në fazë gjyqësore.

“Rasti ende është në fazë gjyqësore, deri më tani kanë shkuar katër muaj po nuk ka ndonjë vendim që mund ta dëmtojë Telekomin apo t’i bllokojë llogaritë”, ka thënë Istrefi, derisa tutje ka thënë se kanë kërkuar takim me kompaninë Z-Mobile tash tri herë.

“Ne kemi kërkuar që tri herë takime, ashtu siç e keni bërë publike për fazën e tranzicionit. Jemi duke pritur 120-ditëshin”, ka thënë ai.

Telekomi i Kosovës kontratën me Z-Mobile e ka shkëputur më 30 korrik, me ç’rast është caktuar një fazë e tranzicionit e cila do të zgjasë deri 120 ditë.

Në anën tjetër, njohësi i ekonomisë, Naim Gashi, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se janë dy faktorë që e kanë sjellë buzë kolapsit Telekomin e Kosovës.

Një nga këta faktorë, sipas tij, është edhe se abuzimi i skajshëm i menaxhmentit, derisa thotë se dy vitet e fundit ia kanë dhënë edhe “gozhdën e fundit arkivolit” të kësaj kompanie.

“Dy janë faktorët kryesorë që kanë sjellë buzë kolapsit Telekomin e Kosovës. Abuzimi i skajshëm nga menaxhmenti në vazhdimësi dhe kontrata abuzive me Z-Mobile. Partitë e koalicionit PAN asnjëherë nuk e kanë Telekomin në vokabularin e fushatës së tyre zgjedhore, sepse në dy vitet e fundit ia kanë dhënë edhe gozhdën e fundit arkivolit të kësaj kompanie”, ka thënë Gashi.

Ai ka thënë se për Telekomin duhet një hetim i hapur fillimisht, si dhe të mundohen të rimëkëmbet kompania. Privatizimi, sipas tij, në këtë fazë është vendim i gabuar.

“Fillimisht në Telekom nevojitet një hetim i pavarur, pasi që hetimet në të kaluarën kanë mbuluar aferat abuzive që i dinë të gjithë qytetarët e Kosovës. Pasi që të vendoset drejtësia, nevojitet një plan për rimëkëmbjen e kompanisë. Privatizimi në këtë fazë kur kompania është e kolapsuar financiarisht është vendim i gabuar. Telekomi duhet të nxirret nga kolapsi financiar dhe më pas të shikohet privatizimi i pje

Kompania që dikur ishte më profitabilja në vend veçse ka filluar procedurat e privatizimit. Telekomi i Kosovës tashmë ka një afat prej më pak se pesë muajsh, ku do të vuloset fati i saj, e kjo po ndodh në kohën kur kompania po përballet me humbje të mëdha e kërcënime që po i vijnë nga borxhet milionëshe.

Iniciativa për privatizim të Telekomit është e treta me radhë, pasi që dy iniciativat e para kishin dështuar.