.
×

Të tejkalohen pengesat trashëgimia, pronë e të dy bashkëshortëve  



Gjilan, 6 mars / Me një tubim para Teatrit të qytetit në Gjilan, me moton “Trashëgimia e përbashkët, është pronë e të dy bashkëshortëve”, është shënuar të premten 8 Marsi – Dita Ndërkombëtare e Gruas si dhe 6-vjetori i themelimit të Grupit të Grave të Gjilanit.

Duke folur për të drejtat e gruas në trashëgimi, Drita Klaiqi, zyrtare për barazi gjinore, ka thënë se ligji e njeh barazinë në trashëgimi ndërmjet burrit dhe gruas, por në praktikë ndodh që rrethanat socio-kulturore të kenë ndikim më të madh se sa aktet ligjore.

Statistikat gjyqësore tregojnë se zbatimi i ligjit sa i përket rasteve kur mohohet e drejta e trashëgimisë për gruan, janë mjaft të rralla, pasi që femrat ngurrojnë t`i ndjekin rrugët ligjore për të realizuar një të drejtë të tyre.

Klaiqi ka folur edhe për mënyrat si fitohet trashëgimia, kush janë trashëgimtarët ligjorë, si ndahet trashëgimia nëse vdes njëri bashkëshort, për testamentin si dhe raste të tjera që kanë të bëjnë me ndarjen e trashëgimisë.

Ndërkaq, Rinia Ahmeti, kryesuese e Grupit të Grave të Gjilanit (GGGJ), njëherësh këshilltare komunale, ka thënë se GGGJ ka bërë një punë të madhe në fuqizimin e rolit të gruas në vendimmarrje dhe politikë-bërje.

Grupi i Grave është angazhuar në promovimin e mundësive të barabarta gjinore, veçmas në përmirësimin e pozitës së gruas në edukim, shëndetësi, arsim, kulturë, ekonomi dhe sektorë të tjerë.

“Unë konsideroj se barazia gjinore është një vlerë e madhe për shoqëritë demokratike. Aty ku nuk respektohen të drejtat e gruas dhe të çdo individin tjetër, në atë shtet nuk ka shoqëri të shëndoshë”, ka thënë Ahmeti.

Mesazh i përbashkët i Ahmetit dhe Klaiqit ka qenë ftesa për respektimin e barazisë mes gjinive, duke përfshirë edhe të drejtën në trashëgimi.

Aktiviteti është përcjellë edhe me një film dokumentar, të titullar “Lyp hise, gjej sherr”, ku tregohet se në çfarë pengesa hasin femrat që kërkojnë të drejtën e tyre në trashëgimi.