[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Të mbijetuarave të dhunës seksuale t’u ofrohen masa lehtësuese



Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës zhvilloi takimin e radhës të grupit punues për fuqizimin ekonomik të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, i themeluar dhe që udhëhiqet nga Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, zhvilloi takimin e radhës të grupit punues për fuqizimin ekonomik të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin anëtarët e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës nga institucionet qeveritare dhe organizatat joqeveritare të grave, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, përfaqësive diplomatike në Kosovë dhe institucioneve financiare.

Në këtë takim u diskutua rreth mundësisë së ofrimit të masave lehtësuese, të përkrahjes dhe përfshirjes së kësaj kategorie të ndjeshme të shoqërisë sonë në skemat, programet dhe instrumentet e ofruara nga institucionet që në mandatin e tyre kanë fuqizimin e sektorit ekonomik. Me rëndësi të veçantë u cilësua nevoja për vazhdimin e zhvillimit të planit bashkëpunues dhe bashkërendues ndërsektorial në mes institucioneve publike, organizatave ndërkombëtare dhe organizatave joqeveritare.

Fuqizimi ekonomik i kësaj kategorie të viktimave civile të luftës u cilësua si thelbësor, pjesë e procesit të reparacionit për të garantuar rehabilitimin, riintegrimin dhe risocializimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

Në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës ka për qëllim bashkërendimin e punës dhe të aktiviteteve të institucioneve e agjencive, në kuadër të kompetencave dhe të fushëveprimit të tyre për të rehabilituar të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës.

Menu Title