.
×

Taylor Swift anulon performancën e saj në “Grammy Awards”



Taylor Swift nuk do të jetë pjesë e “Grammy Awards” të dielën, tha një burim i afërt me këngëtaren për CNN. Ndërsa nuk është e qartë se përse superylli nuk do të marrë pjesë në 62-vjetorin e çmimeve vjetore të Grammy, ajo është akoma e nominuar për këngën e vitit, performancën më të mirë solo dhe albumin më të mirë të muzikës pop.

Në fillim të kësaj jave, këngëtarja e “Lover” mori pjesë në premierën e dokumentarit të saj në Netflix “Miss Americana” në Sundance Film Festival.

Lajmet që Swift nuk do të marrë pjesë vijnë gjatë një jave të vështirë për ceremoninë e “Grammy Awards”.

Shefja e pezulluar e Akademisë së Regjistrimeve, Deborah Dugan, ka pohuar se ka prova se kandidimet në Grammy janë korruptuar.

Udhëheqësja e parë femër e organizatës që i drejton çmimet Grammy, u pezullua javën e kaluar, pas një pretendimi për sjellje të pahijshme, por e paraqiti një ankesë të martën në Komisionin e Shanseve të Barabarta të Punësimit (EEOC) të ShBA-së, vetëm pesë ditë përpara ceremonisë së çmimeve për vitin 2020.

Ndërkohë, burime të brendshme thonë se Taylor ishte e vendosur të paraqitej në skenë për të performuar himnin e saj feminist, i cili do të kishte tërhequr shumë vëmendje, duke pasur parasysh pretendimet e “seksizmit të shfrenuar” në Akademi nga CEO e larguar Deborah Dugan.