.
×

Takimi Mustafa-Ahmeti javën tjetër



Të martën, në një foto të publikuar në faqet e tyre në rrjetet sociale, liderët e dy partive më të mëdha opozitare Isa Mustafa dhe Albin Kurti bënë të ditur lajmin se do fillojnë shkrimin e tekstit për një mocion mirëbesimi ndaj qeverisë së tanishme të udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj. Tash pritet të ndodhë edhe takimi Mustafa –Ahmeti njëri kryetar i LDK’së e tjetri i PSD’së.

Sali Zyba nga Lëvizja Vetëvendosje tregon që ishte lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ai që ishte iniciator i këtij mocioni. Ai ka treguar se në takimin e mbajtur Albini Kurti dhe Isa Mustafa u dakorduan që të bëhen përgatitjet e nevojshme për të rrëzuar qeverinë.

Tutje, Zyba tregoi se ka kohë që Lëvizja Vetëvendosje ka mirëpritur çdo iniciativë për rrëzimin e qeverisë , duke thënë se kjo do hapte rrugë për zhvillim e mirëqënie dhe do ndalonte zhvatjen e buxhetit të shtetit dhe shkatërrimin e ndërmarrjeve publike.

“Tash e një kohë Lëvizja veçse është futur një një fushatë kundër PANhajnisë që për qëllim ka largimin sa më parë të këtij koalicioni të pakicës që po e varfëron Kosovën, prandaj për ne dhe për vendin tonë, sa më shpejt shkon kjo qeveri, aq më mirë është”, ka thënë Zyba.

Ndërkohë në anën tjetër edhe Partia Socialdemokrate ka bërë të ditur se është e gatshme të i bashkohet nismës për rrëzimin e qeverisë. PSD që ka 12 ulëse në parlament, ka kohë që ka bërë të ditur se do i japë nënshkrimet për rrëzimin e qeverisë.

“Siç e dijmë PSD tash e një vit ka dorëzuar nënshkrimet për rrëzimin e qeverisë. Sigurisht që mirëpresim ftesën për takime koordinuese dhe hartim të strategjisë së përbashkët me opozitën”, ka thënë zëdhënësja e PSD’së, Natyra Kuçi.

Dje është njoftuar se takimi Mustafa –Ahmeti është shtyrë me kërkesë të kreut të LDK’së. U tha se takimi do të mbahet javën që vjen mirëpo data e saktë nuk është konfirmuar.

Këto tre parti së bashku bëjnë 56 vota gjithsej që nënkupton se nuk do jenë të mjaftueshme për rrëzimin e qeverisë. Mbetet të shihet se si këto parti opozitare planifikojnë të mbledhin votat e nevojshme për rrëzimin e qeverisë Haradinaj që është në pushtet që nga shtatori i vitit 2016.