.
×

Tahiri i reagon Tomë Gashit për ekspertizën e Astrit Deharit



Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i ka reaguar avokatit Tomë Gashi i cili ka deklaruar se kjo ministri e ka marrë raportin e autopsisë nga Instituti zviceran për vdekjen e Astrit Deharit, por nuk po e bën publike

“Ministria e Drejtësisë ka marrur raportin nga Instituti Zviceran para ditës së fitores së Lëvizjës VETËVENDOSJE!..Më 06.10.2019”, ka shkruar Gashi në profilin e tij në Facebook.

E ndaj kësaj deklarate të Gashit sot ka reaguar Tahiri, duke thënë se deklarimet e Gashit janë pretendime të pavërteta dhe tendencioze.

“Për hir të informimit të drejtë të opinionit, dëshiroj të ju njoftoj se asnjë dokument me çfarëdo përmbajtje që lidhet me rastin Dehari nuk ka arritur në adresë të Ministrisë së Drejtësisë. Profesionalisht Avokati Gashi është dashur ta dijë se kjo çështje i takon organeve të zbatimit të ligjit dhe jo Ministrisë së Drejtësisë”, thuhet në reagimin e Tahirit.

Tahiri shton se sipas kërkesës së familjes Dehari, Ministria e Drejtësisë ka mundësuar një ekspertizë jashtë vendit dhe kanë siguruar edhe mjetet financiare për këtë.

“Roli im si ministër i Drejtësisë me të marr mandatin, ka qenë trajtimi i nevojshëm, sipas kërkesës së familjes Dehari, për të mundësuar një super-ekspertizë jashtë vendit në një prej qendrave më të njohura të mjekësisë ligjore në Evropë. Me kohë, kemi siguruar edhe mjetet financiare për ekspertizën dhe organet e pavarura të sundimit të ligjit janë vënë në kontakt me Institutin e Lozanës në Zvicër, që ishte preferenca e familjes Dehari. Andaj pretendimet e avokatit Gashi janë të pabaza, jo profesionale dhe tendencioze prapa së cilave fshihet mungesa e njohurive procedurale dhe për më tutje  nuk e informojnë opinionin publik në mënyrë të drejtë”, thekson Tahiri në reagimin e tij.