[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Surroi përkrah BIK’un, kundërshton Qëndrim Gashin që shpërndau artikullin me kariktaturat e Muhamedit



 

Gazetari i njohur kosovar Veton Surroi, është përfshirë në debatin për vrasjen e mësimëdhnësit francez Samuel Pety , të cilit ia hoqi kokën një fundamentalist çeçen, për shkak se gjatë orës së mësimit i kishte përdorur karikaturat e profetit islam Muhamed, që në vitin 2014 ishin botuar në revistën satirike Charlie Hebdo, si ilustrim për ligjëratën mbi lirinë e shprehjes.

Surroi ka kritikuar ambasadorin qëndrim Gashi duke thënë se ai nuk e kanë t’i “ripërcjellë publikisht shkrimet e gazetave franceze”.

Surroi i ka dhënë të drejtë Bashkësisë Islame të Kosovës e cila kritikoi ashpër Gashin duke e kërkuar edhe shkarkimin e tij.

“Shteti i Kosovës nuk do mend se duhet të solidarizohet e të përkrahë të drejtën e ligjërimit të Samuel Pety, edhe si solidaritet me Francën, edhe si solidaritet me një të drejtë elementare njerëzore, edhe si solidaritet me konceptin e shtetit shekullar. Por, shteti i Kosovës, nëpërmjet ambasadorit të vet, nuk duhet të ribotojë këto karikatura, e as ndonjë karikaturë tjetër të ndonjë figure religjioze, politike, kulturore,- çfarëdo. Këtë punë mund ta bëjnë gazetat e portalet, nëse duan, por shteti i Kosovës nuk ka pse të bëhet pjesë aktive e një debati të brendshëm e polarizues, qoftë edhe të një shteti mik siç është Franca” ka shkruar Surroi në një shkrim të publikuar në gazetën e tij, Koha ditore.

“Bashkësia Islame ka pasur të drejtë të reagojë ndaj ripostimit të ambasadorit” ka shtuar Surroi.

Ish – Kreu i Partisë reformiste Ora ka thënë se  “prononcimet e ambasadorëve dhe zyrtarëve të tjerë të shtetit në rrjete sociale nuk janë private; i atillë, zyrtar, është edhe ripostimi i cili vetvetiu hap debat”

“Është legjitim debati mbi ndjeshmëritë në diskursin publik të Kosovës dhe Francës, e sa ekziston pranueshmëria e mjaftueshme kulturore që figurat religjioze (apo politike, kulturore, etj.) të portretizohen me thellësinë satirike që bëhet në Francë – kjo nuk është puna e ambasadorit, e as e shtetit të Kosovës.Shteti i Kosovës, me përfaqësuesit e vet, duhet ta mbrojë vendin prej këtyre debateve, jo pse Kosova është “vend mysliman” apo “vend islamik”, por përkundrazi, sepse nuk është i tillë, sepse është shtet shekullar në të cilin e drejta e besimit fetar është krejtësisht e lirë dhe individuale” ka shkruar Surroi.

Duke iu referuar kariktaruës së Muhamedit që është publikuar në mediat franceze Surroi ka thënë se “karikatura e Charlie Hebdo është, për nga natyra satirë deri në ofendim, si një provokim i rëndë”

“Por, përcaktimin se çka është e papranueshme si shprehje e lirë në shtetin shekullar e bëjnë institucionet e drejtësisë; jo verdikti moral, e aq më pak thika në fyt” ka theksuar ai.

 

Menu Title