.
×

Super vetura me super shpenzime e drejtorit të QKUK-së



Derisa furnizimi me barna në qendrën më të madhe spitalore vazhdon të mos përmbushet as 60 për qind dhe ky institucion nuk i plotëson as për së afërmi shërbimet sipas standardeve të kërkuara, udhëheqësi i këtij institucioni, Curr Gjocaj, nuk e ka fare problem të vozisë një veturë super luksoze.
Vetura e tipit Volkswagen Touareg, e cila ishte blerë në fund të vitit 2013, kur drejtor ishte Njazi Gashi, po del të jetë kampion në harxhime. Sipas shpenzimeve, brenda një viti për 1.955 kilometra të kaluara kjo veturë ka harxhuar 2,375 euro derivate, raporton KTV.
Sipas të dhënave në internet, një veturë e tillë mesatarisht në 100 km harxhon rreth 9 litra naftë. Mirëpo, vetura e Gjocajt ka harxhuar 1 litër, apo 1,20 cent në një kilometër të kaluar, që i bie 9 herë më shumë se kapaciteti i kësaj veture.
“Vetëm më 13 dhjetor 2013, kur këtë veturë e drejtonte Njazi Gashi, ajo kishte shpenzuar 103 euro në 84 kilometra të kaluara. Për të mos u mjaftuar me kaq, katër ditë më vonë kjo veturë në 63 kilometra të kaluara kishte harxhuar rreth 77 euro”.
“Aspak më mirë me këto shpenzime nuk është as drejtori i tjetër i QKUK-së, Curr Gjocaj. Më 28 korrik të këtij viti, në 76 kilometra të kaluara ai kishte harxhuar 92 euro”.
Ndonëse ekziston një mospërputhje e madhe në mes të kilometrave të kaluara dhe parave që janë faturuar si shpenzime për naftë, zyrtarët e QKUK-së nuk kanë dhënë sqarime se si ka ndodhur një gjë e tillë. Ata kanë thënë se këto janë të dhënat zyrtare dhe nuk kanë asgjë për të shtuar më shumë, transmeton Koha.net.
Ekspertët e shëndetësisë thonë se këto shpenzime enorme në kohën kur shëndetësia përballet me probleme të mëdha për shkak të mungesës së buxhetit janë të panevojshme. /koha/