.
×

Studentët shqiptarë të Gjenevës, fitues të “Fshatit Global 2015”



Në krye të stendës ishte vendosur edhe një NEWBORN në të cilin dhjetëra vizitorë vendosën nënshkrimet e tyre

Dje, në mjediset e Fakultetit të shkencave ekonomike dhe sociale të Universitetit të Gjenevës, nën organizimin dhe menaxhimin e Asosiacionit “AISESEC” është mbajtur takimi tradicional “FSHATI GLOBAL 2015”. Në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore kanë marrë pjesë gjithsej njëzet e dy shoqata studentore të vendeve të ndryshme te botës, të cilat veprimtarinë e tyre e kryejnë në kuadër të Fakulteteve të ndryshme të Universitetit shtetëror të Gjenevës. Secila nga shoqatat ka prezantuar kulturën e vendit të origjinës duke ekspozuar në stenda ushqime nga kuzhina tradicionale dhe vlera tjera artizanale të punuara me mjaft mjeshtëri. Nuk munguan as prezantimet e librit.

Disa nga shoqatat kishin përgatitur katalogë në frëngjisht e anglisht siç ishte rasti me studentët shqiptarë. Kështu që vizitorët e shumtë patën rastin të njihen nëpërmjet këtyre udhërrëfyesve me historinë dhe kulturën shqiptare. Një e veçantë tjetër që e dallonte stendën e shoqatës së studentëve shqiptarë të Gjenevës, prej atyre të vendeve tjera ishte rregullimi me mjaft shije i saj. Meritë kjo që u atribuohet studentëve: Erëza Mehmet, Kaltrinë Ilazi, Anita Hiseni, Gëzim Ilazi, Labinot Ismaili, Fatmir Idrizi, dhe Hysri Halimi të cilët njëkohësisht edhe janë udhëheqës të Këshillit drejtues të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Gjenevës.

Kjo gjë u bëri përshtypje për të mirë të gjithë të pranishmeve. Në krye të stendës ishte vendosur edhe një NEWBORN në të cilin dhjetëra vizitorë vendosën nënshkrimet e tyre. Studentja e vitit të parë të Fakultetit Ekonomik në nivelin Master, Erëza Mehmeti edhe para se të shpallej fituesi, parandiente dhe ishte mjaft optimiste se epiteti i më të mirit do t`i takojë Shoqatës studentore të shqiptarëve të Gjenevës. Mendim të ngjashëm kishte dhe Kaltërina Ilazi, studente e Fakultetit të Mjekësisë,e cila pa hezituar thotë: “ aty ku ka harmoni ka edhe rezultate. Për dallim nga të tjerët ne si Shoqatë studentore nuk kemi kryetar por veprojmë si trup i përbashkët dhe të gjitha vendimet i marrim bashkërisht. Kjo mënyrë qeverisje na obligon të gjithëve njëlloj, prandaj edhe po jep rezultate të dukshme. Në rast dështimi përgjegjësia rëndon njëjtë për të gjithë”.

Në këtë sukses, një pjesë të madhe të meritave e ka edhe grupi i vajzave të Ansamblit “Gëzuar” që për të pranishmit interpretoi disa valle të bukura që impresionuan auditorin. Loja e bukur dhe plot sharm e këtyre të rejave u duartrokit gjatë. Bile disa herë u kërkua rikthimi i tyre serish në skenë. Po ashtu dijet e tyre në vallëzim i manifestuan edhe grupet e vendeve tjera si ato të : Brazilit, Kinës, Japonisë, Haitit, Kamerunit, Madagaskarit, Iranit, Marokut, Italisë, Ukrainës, Koresë së Jugut, Vietnamit, Australisë, Kubës, Egjiptit dhe Eritresë etj. Shoqatat studentore të Serbisë, Maqedonisë,Bosnjë-Hercegovinës dhe ajo e Turqisë kanë vepruar nën një çati të përbashkët me mbishkrimin “Mirë se vini në vendet e Ballkanit”

Këtu ishte paraparë të prezantohej edhe Shoqata e Studentëve Shqiptarë, e Kosovës dhe ajo Shqipërisë, mirëpo përfaqësuesit e kësaj shoqate një gjë të tillë e kundërshtuan kategorikisht, duke vepruar të pavarur me stendën e tyre. Ky veprim doli plotësisht i logjikshëm sepse çmimi i më të mirit i takoj kësaj shoqate e cila bëri një prezantim të mrekullueshëm në të gjitha nivelet.

Do të bënim një padrejtësi sikur mos të ceknim edhe punën e fotografit profesionist Pajtim Zymberi nga qyteti Bulle i Zvicrës, i cili përmes flash-eve të aparatit të tij fotografik solli pamjet më të bukura të viseve tona shqiptare të ekspozuara në këtë kremte.

Ky takim i shoqatave të ndryshme studentore ishte mjaft dobiprurës sepse solli larmi kulturash dhe mundësoi njohjen e drejtpërdrejtë të rinisë studentore të Universitetit të Gjenevës, me kulturat e vendeve të Evropës, Azisë, Afrikës, Amerikës Latine dhe Australisë së largët.

Në përfundim të këtij manifestimi takuam edhe Z. KA FAT LEU NG nga Asociacioni “AICSEC” i cili si pjesë e stafit organizativ tha: “Dita e sotme për mua është një nga ditët më të veçantat,sepse ta sjellësh kulturën e gjithë botës në një hapësirë si kjo e UNI- MAL-it është vërtetë diçka e jashtëzakonshme jo vetëm për mua por edhe për të tjerët”. Ndërkaq për fituesin e konkursit SHOQATËN E STUDENTËVE SHQIPTARË TË GJENEVËS të gjithë ishim të një mendje se ishte pa kurrfarë mëdyshje më e mira në prezantim e sotëm”.

Asociacioni “AIESEC”“ me përvojën e tij gjysmëshekullore po pasurohet nga viti në vit me vlera të reja. Kurse “Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Gjenevës” para vendeve të shumta të globit u dëshmua si përfaqësuese e denjë e kulturës sonë kombëtare. Të jesh i pari në mesin e njëzet e dy vendeve të botës është një akt që na nderon të gjithëve.