.
×

Sqarohet gjithçka: Pagat me rritje merren në dhjetor



Institucioni i Avokatit të Popullit (OIK) ka njoftuar se më 8 nëntor 2019, ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Ligji për Zyrtarët Publikë i jep Qeverisë së Republikës së Kosovës kompetenca për krijimin e bazës ligjore për punësim të zyrtarëve publikë në institucionet e Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe zyrtarët publikë në institucionet e pavarura, si dhe në subjektet e tjera në sektorin publik, pa marrë parasysh specifikat e statusit kushtetues të këtyre subjekteve.

Avokati i Popullit në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese ka vlerësuar se Ligji për Zyrtarët Publikë nuk e ka marrë parasysh faktin se subjekte të ndryshme në sektorin publik, çështjet organizative, funksionale dhe të veprimtarisë së tyre i kanë të rregulluara në mënyrë të veçantë, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet e tyre organike. Bashkë me kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Zyrtarët Publikë, Avokati i Popullit ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e menjëhershëm të dispozitave të kontestuara të këtij ligji.

Më 19 nëntor 2019, Gjykata Kushtetuese e ka shqyrtuar dhe ka vendosur për kërkesën për masë të përkohshme, pa paragjykuar pranueshmërinë dhe meritën e kërkesës së Avokatit të Popullit, e ka miratuar masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 28 shkurt 2020 dhe e ka pezulluar menjëherë zbatimin në tërësi të Ligjit për Zyrtarët Publikë, në kohëzgjatje të njëjtë.

Për shkak të interesimit të madh të publikut, Avokati i Popullit njofton se Ligji për Zyrtarët Publikë nuk ka të bëjë me çështjen e pagave në sektorin publik dhe se çështja e pagave rregullohet me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, i cili do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor 2019.Sa i përket Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, Avokati i Popullit ka pranuar një numër të konsiderueshëm të ankesave, të cilat është duke i shqyrtuar. Avokati i Popullit do ta njoftojë publikun me kohë për çfarëdo veprimi që do ta ndërmarrë lidhur me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.