.
×

Specialja i dërgon ftesë edhe ish-ushtarit të UÇK’së, Jetullah Krasniqi



Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirmtare të Kosovës, Jetullah Krasniqi është ftuar nga Gjykata Speciale për intervistim.

Vet Krasniqi ka njoftuar se ka marrë ftesë nga Tribunali i Hagës për intervistim që pritet të lajmërohet më datë 29 tetor, përmes një postimi në Facebook.

“Dua të njoftoj opinionin dhe para se gjithash bashkëluftëtarët e mijë se këto ditë kam pranuar ftesë nga zyra e prokurorit të dhomave të specializuara për t`u paraqitur dhe për të dhënë dëshminë time për periudhën e shërbimit në UÇK”, ka shkruar Krasniqi.

Ai thotë se pranon t’i përgjigjet kësaj ftese sepse nuk ka asgjë për të fshehur e as për t’u turpëruar.

“Edhe pse e konsideroj si një gjykatë të njëanshme dhe një- etnike kam vendosur që kësaj ftese t’i përgjigjem pozitivisht, sepse si sot ashtu edhe dje(para 20 viteve) nuk kemi asgjë për të fshehur e as turpëruar”.

Sipas Krasniqit, është e padrejtë që kriminelët të cilët vranë dhe masakruan civilët shqiptarë vazhdojnë të shëtiten të lirë.

“Është e tmerrshme që ne edhe pas 20 vitesh vazhdojmë të përballemi me drejtësinë mbi bazën e akuzave të ngjarjeve të trilluara nga një Alfred Hickok i kohës moderne siç ishte Dick Marty. Ndërsa, kriminelët të cilët vranë e masakruan mbi 10 mijë civilë shqiptarë, duke rrafshuar me tokë fshatra e qytete të tëra vazhdojnë të shëtitën të lirë dhe të pa shqetësuar”, ka thënë ai.

Mes tjerash, Krasniqi shkruan se numri i madhi ftesave që po dërgohen nga kjo gjykatë për pjesëtarët e UÇK’së tregon që nuk ka të bëjë me raste individuale, por tendenca e zbehjes dhe shpifjes të luftës së UÇK’së dhe sakrificës së popullit për liri.

“Duke marrë parasysh numrin e madh të ftesave që vazhdojnë të dërgohen për pjesëtarët e UÇK-se shihet qarte që këtu nuk kemi të bëjmë me raste individuale, por është një tendencë e zbehjes dhe denigrimit të luftës së UÇK-së dhe sakrificës së popullit tonë për liri”, shkruan Krasniqi në rrjetin social Facebook.

Gjykata Speciale gjatë ditës së sotme i ka dërguar ftesë edhe ish rektorit të Universitetit të Prishtinës Ibrahim Gashi, ndërsa mbrëmë edhe Isni Kilaj dhe Azem Syla. /gazetametro.net