.
×

Specialja do votohet me ose pa protesta të opozitës



Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, NISMA për Kosovën dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), para disa ditësh kishin deklaruar se do të organizojnë protestë kundër themelimin të Gjykatës Speciale, por sipas analistit Artan Muhaxhiri, një protestë e tillë nuk do të jetë e suksesshme.

Muhaxhiri ka thënë se ndryshimet mund të vinë vetëm nga Kuvendi a nga Bashkimi Evropian, dhe se për këtë qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm.

“Në aspektin konkret nuk do të ketë asnjë ndryshim, sepse një ndryshim mund të bëhet vetëm në Kuvend dhe në takimet mes liderëve politik, por jo me protesta. Nuk besoj se do ketë asnjë efekt praktik në mënyrën për ndryshimet që duhet të bëhen për themelimin e Gjykatës Speciale. Nuk do të ketë shumë protestues. Për dallim nga politikanët, qytetarët e dinë se kjo çështje tashmë është e përfunduar. Gjykata Speciale nëse jo nga Kuvendi, do të themelohet nga Kombet e Bashkuara ”, ka thënë ai për Indeksonline.

Sipas Muhaxhirit, Lëvizja Vetëvendosje është e njohur për organizime të tilla, por në këtë rast protesta vetëm sa do t`i dëmtonte ata dhe partitë tjera opozitare, NISMA-n e AAK-në.

“Lëvizja Vetëvendosje është e njohur për organizimin e protestave, kjo do të jetë në stilin e saj. Nëse e marrim për bazë protestën e fundit, kjo ishte e pasuksesshme, andaj NISMA, AAK e VV duhet të jenë shumë të kujdesshëm. Nëse edhe njëherë ndodh dështimi, nuk do të jetë aspak në të mirë të këtyre partive”, ka thënë ai.

Sipas Muhaxhirit, protesta kundër Speciales nuk do të mbështetet nga qytetarët, prandaj tri partitë opozitare duhet të sigurohen që kjo protestë të jetë masive, nëse dëshirojnë sukses, në të kundërtën do t`iu dëmtohet imazhi./Indeksonline/