[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Sot BE ia dorëzon ndihmën 5 milionëshe Kosovës – këto janë pajisjet që do t’i marrë QKUK



Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova sot do të nënshkruajë një kontratë me vlerë 5 milionë euro për nevoja të menjëhershme të Kosovës për luftimin e pandemisë COVID-19. Në ceremoninë e nënshkrimit do të marrin pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurtid he Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se kontrata do të përfshijë furnizimin me pajisje të specializuara laboratorike dhe mjete për mbrojtjen nga COVID-19 dhe trajtimin e tij, për nevojat e Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë.

Pajisjet përfshijnë respiratorë/ventilatorë, pompa infuzioni dhe pompa infuzioni shiringë, auto-ambulanca, oksimetër pulsi në gisht dhe oksimetër pulsi, monitorues të pacientëve, defibrilatorë, elektrokardiografë.

“Në rast se disa nga artikujt e mësipërme nuk mund të sigurohen, do të prokurohen furnizimet e artikujve të tjerë të nevojshëm, siç janë testet, gypat, maskat, dorezat dhe dezinfektuesit. Artikujt do të blihen përmes Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS), e cila do të jetë nënshkruesi tjetër i kontratës. Eventi do të zhvillohet në prani të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe Ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia”, thuhet në komunikatë.

Ceremonia e sotshme e nënshkrimit do të transmetohet drejtpërdrejt në orën 17:00 në Facebook përmes faqes së BE-së në Kosovë (@EuropeanUnionInKosovo). Ngjarja do të zhvillohet përmes një platforme virtuale të takimeve.

Menu Title