.
×

Sokoli: Jam i lumtur, bëmë krenarë 10 milionë shqiptarë



Vetëm pak minuta në ndeshjen ndaj Portugalisë i mjaftuan për të treguar vlerat e vërteta. Sokol Cikalleshi tashmë është rikthyer në ekipin e tij RNK Split dhe ka folur për mediat kroate. Ish-sulmuesi i Kukësit ka thënë se është shumë i lumtur për momentin që po kalon në karrierën e tij. Gjatë fjalës së tij nuk mund të shmangej euforia për fitoren ndaj Portugalisë.
Sokol, si ndiheni në këtë moment të karrierës tuaj?
Jam shumë i lumtur sepse mbi të gjitha kemi bërë të lumtur shumë tifozë. Po flas për Shqipërinë dhe për fitoren që arritëm në Portugali. Jam edhe krenar për atë që kam arritur deri tani. Isha ndër të vetmit lojtarë në kampionatin shqiptar që u grumbullua në ekipin kombëtar, ndërsa tani bëra hapin e madh për të luajtur me Splitin.
Si e bindët trajnerin e kombëtares që t’iu grumbullonte?
Thjesht bëja maksimumin në çdo ndeshje me skuadrën e Kukësit. Shfrytëzoja çdo mundësi që kisha dhe falë performancave të mira sigurisht që meritoja të kisha edhe unë një mundësi në kombëtare.
Në cilin pozicion ndiheni më mirë në fushën e lojës?
Nuk e kam problem. Unë mund të përshtatem mjaft mirë si sulmues i dytë, por edhe si sulmues i parë. Mund të luaj gjithashtu edhe në krahë. Me pak fjalë aty ku ka më shumë nevojë skuadra.
Kanë kaluar disa kohë nga transferimi juaj në Kroaci. A jeni përshtatur me skuadrën dhe me qytetin?
Sigurisht që ishte pak e vështirë fillimisht, por më duhet të punoj shumë për të fituar besimin e trajnerit. Jap maksimumin si në stërvitje ashtu edhe në çdo ndeshje që mund të aktivizohem. Pak nga pak besoj se do të përmirësohem. Për sa i përket jetës jashtë futbollit është ndryshe. Tani jetoj në një nga qytetet më të bukura në botë dhe më pëlqen t’u tregoj të gjithëve për vendin ku jam. Ka plazhe fantastikë dhe është mrekulli.