.
×

SKANDALI I RADHËS: PDK “shpall” veteranë edhe militantët partiak, që s’ishin kurrë ushtarë



Partia Demokratike e Kosovës e Hashim Thaçit, që e ka udhëhequr procesin e verifikimit të listës me ata që kanë luftuar gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka arritur që veteranë të “shpallë” edhe ata që as edhe një ditë nuk kanë qenë në luftë.

Burime të gazetës Blic të afërta me procesin e verifikimit të veteranëve të luftës së UÇK-së pretendojnë se në listat e Zonës Operative të Llapit janë futur zyrtarë të partisë, që nuk kanë qenë fare pjesë e luftës.

Në këto lista sipas këtij burimi është futur edhe kryetari i PDK-së në Fushë Kosovë, Naser Grajçevci si dhe ish- kryetari i degës së kësaj partie në Fushë Kosovë, Ahmet Krasniqi. Sipas këtij burimi, në këtë listë janë futur edhe dy persona tjerë të afërt me PDK-në e Hashim Thaçit, Hysen Merovci dhe Fazli Haziri.

“Do t’u drejtohem komisionit për denoncimin e këtij rasti, me qëllim që të hiqen nga listat për veteran, për faktin se këta persona nuk kanë qenë asnjëherë në luftë”, tha ku burim.

Publikimi i listave të veteranëve, ka shfaqur pakënaqësi të shumta.

Pakënaqësitë më të mëdha kanë të bëjnë pikërisht në Zonën Operative të Llapit. Mediet kanë raportuar se edhe vëllezërit e komandant Remit, janë përfshirë në listën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndonëse këta të fundit gjatë kohës së luftës kanë qenë në Gjermani.

Mirëpo, vetë Rrustem Mustafa i ka mohuar këto pretendime.

Ndërkohë, para pak ditësh një ish- bashkëluftëtarë i Zahir Pajazitit ka thënë se kushdo që i ka pasur 3 mijë euro, ka mundur të marrë statusin e veteranit të UÇK-së pa qenë fare pjesë e luftës.