.
×

Skandal: Inspektorati konfirmon se “Super Viva” shet mish të prishur



Në rrjetin e marketeve të “Super Viva” është gjetur mish i prishur nga inspektorati i veterinarë që vepron në kuadër të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.AUV ka gjetur mish i cili nuk i plotëson kushtet e konsumit në sasi prej rreth 170 kilogram. Lajmin e ka konfirmuar për “Gazeta Blic” Lamir Thaçi, zyrtar për informim në AUV.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë përmes inspektoratit veterinarë kontroll marketet në Kosovë. Kontrolli bëhet bazuar në planin nacional për kontroll dhe mostrimit. Po ashtu shqyrtojmë të gjitha ankesat e konsumatorëve apo dyshimeve të ngritura nga grupet tjera. Sa i përket marketit Super Viva, është inspektuar me datë 23.08.2019. Gjatë kontrollit është gjetur mish i cili nuk i plotëson kushtet për konsum dhe i njëjti menjëherë është asgjësuar, produkte mishi në sasi prej 168.40 kg. Produktet nuk janë ruajtur sipas kushte adekuate dhe kishte filluar shkrirja e tyre”, ka thënë Thaçi, në një përgjigje përmes postës elektronike.

Tutje, ai ka njoftuar se të gjithë shkelësit të cilët hasen gjatë inspektimeve e bëra nga ana e inspektoratit të AUV-së lëndët u iniciohen për Gjykatë.“Gazeta Blic” ka kontaktuar përmes postës elektronike edhe zyrën për informim në “Super Viva” por nga aty kanë refuzuar të japin përgjigje. Ndonëse janë kontaktuar nga data 24 tetor, nga aty nuk janë përgjigjur deri në kohën e raportimit.Ndryshe, ky nuk është rasti i parë që është gjetur se “Super Viva” shet mish të prishur. Më 13 mars të këtij viti, Komuna e Prizrenit ka njoftuar se në supermarketin “Super Viva” në magjistralen Prizren-Gjakovë janë gjetur 562 kilogramë mish me afat të skaduar, që më pas është asgjësuar.

“Drejtoria e Inspektoratit, gjatë kontrollit të rregullt inspektues më 13 mars ka konstatuar se në supermarketin Super Viva, e cila gjendet në magjistralen Prizren-Gjakovë, janë hasur produkte ushqimore me prejardhje shtazore me afat të skaduar dhe me ndryshime organoleptike (pamje, era, ngjyra, shija)”, thuhet në njoftimin e Komunës.E gjithë kjo sasi e mishit gjendej në depon logjistike të këtij supermarketi.

“E gjithë kjo sasi që gjendej në depon logjistike të njësisë së këtij supermarketi, ku përgatitet ushqimi për restorantet tyre, ishte e papërdorueshme për konsum dhe për këtë arsye u asgjësua. Ndërkaq inspektori i veterinarisë ka propozuar që për ndërmarrjen në fjalë, të merren masat sipas ligjeve aplikative. Pa dyshim se një prej prioriteteve kryesore në punën e Drejtorisë së Inspektorateve do vazhdojë të mbetet ruajtja dhe përkujdesi ndaj shëndetit të qytetarëve. Prandaj Drejtoria e Inspektorateve do të vazhdojë të qëndrojë e pa kompromis ndaj çdo shkelësi të ligjit, i cili me veprimtarinë e tij do e rrezikojë shëndetin e qytetarëve!”, përfundon njoftimi.“Gazeta Blic” ka raportuar edhe në të kaluarën se është gjetur mish i prishur në “Super Viva”.