.
×

Skandal: Dështojnë masat e Policisë së Kosovës – testi për togerë fotografohet e shpërndahet



Më datën 4 dhe 5 shkurt të këtij viti, mbi 700 zyrtarë të Policisë së Kosovës me gradën rreshter, ia mësyen testit për t’u avancuar në gradën e togerit. Ky testim me shkrim, i cili u organizua në drejtorinë qendrore të Policisë, sado që pritej të zhvillohej nën masa sigurie që do të duhej të pamundësonin kopjimin, fotografimin dhe shpërndarjen e këtij testi, një gjë e tillë rezultoi pa sukses.

Gazeta Sinjali ka siguruar fotografitë që u janë bërë pyetjeve të testit me shkrim, e që dyshohet se u janë shpërndarë paraprakisht rreshterëve që po synojnë gradën e togerit. I kontaktuar nga Gazeta, drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj, ka mohuar kategorikisht se testi ka mundur të fotografohet e të shpërndahet.E gjithë faza e testimit kishte ndodhur më 4 dhe më 5 shkurt të këtij viti. Në dy ditë, testit me shkrim iu nënshtruan nga rreth 400 rreshterë në secilën ditë, por rezultatet kanë qenë krejtësisht të ndryshme.

Gazeta ka mësuar se në testimin me shkrim të datës 4 shkurt të këtij viti, nga 355 rreshterët sa i janë nënshtruar kësaj faze testuese, me sukses e kanë kaluar vetëm 162 rreshterë.Në ditën e dytë të fazës testuese me shkrim të datës 5 shkurt, i ishin nënshtruar 378 rreshterë që deshën të bëhen togerë, por këtë herë, për habi, rezultatet pozitive u trefishuan.Nga 378 kandidatët që iu nënshtruan testimit me shkrim në fazën e dytë, 287 prej tyre e kaluan, apo thënë ndryshe, dështuan vetëm 91 kandidatë.

Policia e Kosovës i kishte ftuar 819 rreshterë për t’iu nënshtuar këtij testi, ndërkaq në test morën pjesë 733, teksa kishin munguar 53 prej tyre.Gazeta Sinjali ka kontaktuar për këtë rast drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalajn, i cili i ka mohuar kategorikisht se testi mund të jetë fotografuar dhe të jetë shpërndarë.

Qalaj ka thënë se testet janë konfidenciale dhe “është e pamundur qe dikush të ketë pasur mundësi që t’i ketë ato para dhe pas testimit”.“Qasjen në testet qe janë përdorur bazuar në procedurat e brendshme, këto materiale konsiderohen konfidenciale dhe është e pamundur që dikush të ketë pasur mundësi qe t’i ketë ato para dhe pas testimit”, ka thënë Qalaj.

Sipas tij, Sektori për Zhvillim të Performancës dhe Karrierës (SZHPK), ka marrë konfirmim nga Drejtoria e Teknologjisë Informative që rreshterët të mos kishin qasja në kompjuterët që gjendeshin në sallën e testimit, duke ua ndaluar edhe posedimin e telefonëve gjatë testimit.“Sektori për Zhvillim të Performancës dhe Karrierës (SZHPK) para fillimit të testimit tek Drejtoria e Teknologjisë Informative ka marrë konfirmimin se ditët e testimit do të lokalizohet qasja në PRIMS vetëm në kompjuterët që gjendeshin në sallën e testimit. Dhe rrjedhimisht askush nuk ka pasur qasje në PRIMS… Ka qenë e ndaluar marrja e telefonit gjatë kohës sa iu kanë nënshtruar procesit të testimit. Asnjë zyrtari nuk i është lejuar telefoni mobil brenda në sallë gjatë kohës së testimit me shkrim”, ka thënë Qalaj.Për të insistuar se testi është përpiluar mirë dhe testimi është zhvilluar si duhet, Qalaj ka thënë se kanë qenë 4 lloje të testeve me pyetje të përzgjedhur në mënyrë elektronike.

“Kanë qenë 4 lloje të testeve të ndryshme, ku pyetjet janë përzgjedhur në mënyrë elektronike, varësisht nga fusha, e që nënkupton se testet kanë qenë të ndryshme. Lidhur me testet me shkrimin është punuar që secili grup të ketë përqindje të njëjtë të pyetjeve nga fushat e caktuara ku kandidatët do të testoheshin. Pyetjet kane qenë nga fusha e menaxhimit policor, operativa, legjislacioni, administrata dhe hetimet e brendshme. Për hartimin e pyetjeve është përdorur material i cili ka qene i qasshëm për kandidatet”, ka deklaruar Qalaj.

Gazeta nga burimet e veta ka siguruar ekskluzivisht dëshmitë që provojnë se masat e sigurisë të aplikuara me rastin e testimit, jo vetëm se ishin të thyeshme, por të njëjtat u kanë mundësuar kandidatëve që të mbajnë edhe pajisje fotografimi, me të cilat disa nga ta arritën që t’i fotografojnë pyetjet dhe t’ua shpërndajnë kandidatëve të tjerë.Ky veprim nxori në pah se organizimi i testimit ishte skandaloz sa i përket aspektit të sigurisë, e që për pasojë u trefishua numri i kandidatëve që kaluan testin me shkrim.