.
×

Sindikata pyet drejtuesit e RTK-së: Ku mbetën paret e destinuara për sigurim shëndetësor



Sindikata e Pavarur e RTK-së, ka kërkuar nga menaxhmenti i këtij institucioni publik qw të tregojnë për vendndodhjen e parave të destinuara për sigurim shëndetësor, për të cilat punonjësit e RTK-së nuk kanë asnjë informatë, tash e katër muaj.

“Edhe pse janë bërë tash e e katër muaj që kompania e sigurimeve  “Dardania” ka shkëputur kontratën për sigurime shëndetësore me RTK, ajo  ende po vazhdon të mos e bëjë rimbursimin e të gjitha faturave për punonjësit e RTK-së dhe familjarët e tyre.

Sipas autoriteteve të kësaj kompanie, arsyeja kryesore e mosrimbursimit është mospërmbushja e obligimeve financiare të menaxhmentit të RTK-së ndaj tyre.

Në anën tjetër, po sipas Dardanisë, vlera e përgjithshme e detyrimeve të saj ndaj punëtorëve të RTK-së, arrin shifrën rreth 34 mijë euro.

Të shqetësuar me situatën e krijuar, Sindikata kërkon nga drejtuesit e RTK-së, që urgjentisht:     Të sqarojnë arsyen e mospërmbushjes së obligimeve kontraktuale ndaj kompanisë së sigurimeve shëndetësore “Dardania”, derisa dihet se 50% e mjeteve financiare për këtë shërbim, u janë marrë punëtorëve nga pagat, në kohën e paraparë në marrëveshje;   Të tregojnë, për vendndodhjen e parave të destinuara për sigurim shëndetësor, për të cilat punonjësit e RTK-së nuk kanë asnjë informatë, tash e katër muaj.

Është e pakuptimtë, që për muaj të tërë të mos mund të detyrohet kompania e sigurimeve “Dardania”, që t’i përmbush obligimet kontraktuale ndaj punonjësve të RTK-së dhe familjarëve të tyre, kur kemi parasysh faktin se RTK paguan një staf prej dhjetë këshilltarësh, dhe një departament prej disa zyrtarëve ligjor.

 

Me gjithë insistimin për disa herë radhazi të Sindikatës, në adresë të  autoriteteve të Dardanisë, që të na njoftojnë me shkrim rreth shumës së borxhit që  RTK e ka ndaj tyre, një gjë e tillë, për çudi ende vazhdon të mos ndodhë.

E gjithë kjo, me të drejtë  krijon dyshimin, sikur ekziston një marrëveshje e fshehtë ndërmjet kompanisë “Dardania” dhe Menaxhmentit të RTK-së, që asnjëra palë të mos i kryej obligimet kontraktuale ndaj njëra tjetrës, dhe humbësit e vetëm në këtë situatë të mbeten punonjësit e RTK-së dhe familjarët e tyre. Heshtja rreth kësaj çështje që po mbretëron për tash e sa kohë nga Menaxhmenti i RTK-së, e forcon edhe më shumë këtë dyshim”, thuhet në komunikatën e Fadil B.Hoxha, kryetar i SPRTK-së.