.
×

Sinan Kamberaj: “Rrupuplika e shqypeve” të Dardhanisë! (Poemë satirike)



1.

Kur e kap ‘Magjia e Zezë’
‘Rrupuplikën e Dardhanisë’
Flakët përshkojnë horizontin
Dhe ngriten lart në Qiell
Ditën për Diell!

‘Bijtë’ e Saj –
‘Heronj të Gjallë’ –
‘Shpëtimtarë’!
Yshtur nga Djajtë e Tyre –
I bëjnë ‘Roje Nderi’
Dalldisë
Para Portave të ‘Historisë’!

– Ne jemi Çlirimtarë!
Të Tjerët – Tradhëtarë!

2.

Kryedjalli e ‘magjeps’ të Parin:
– Ti, or Ti, je i Pari!
Kryeçlirimtari!
Më i Madhi nga të Tretë!
Ai, po se po, Vetën e di –
‘Kryehero’ me fletë!

Pokështu, të Dytit e të Tretit
Dy Djajtë e Tyre u thonë:
– Jeni Ju – ndaj është Ai! –
Në ‘Rrupuplikën’ Tonë!

‘Të Tretë’ i bindin të Tretët-
Se pushteti i Tyre shtrihet
Mbi çdo gjë që preket e shihet!

– Tuajat janë!
Bashkë me Sejmenët Tuaj –
Ç’u sheh syri anembanë!

Ara, Fusha e Fabrika
RTV, Gazeta e Livadhe
Shtalla e Spitale
Gjykata e Hamame
Institute e Gurore
Dogana e Pazare
Kazino e Fakultete
Shtëpi Publike e Prokurori
Shpella e Akademi
Hotele e Motele
Truste e Bastore
Pompa benzine
Rektorate e Varreza
Kolektorë Ujërash të Zeza
Male, Kullosa e Pyje
Dhe, mos o Zot –
Edhe pjesë Qielli me Yje!

Fundja –
Kush dha më shumë se Ju?
Për kët’ Dhé –
Që e keni si Fé, e si Atdhé!

3.

Mbrëmjeve –
Mbas seancash të zjarrta
Kryetrimat ‘Legjendarë’ –
Shkojnë bashkë në Darka
Në ‘’Tifanny” e “Zanzibar”
Larg, larg ‘Synit të Keq’!
Por, kur …
Me nder … bëhen kaps –
Dalin q’andej – veç e veç!

Djajtë e Tyre ‘vigjilentë’ –
Për t’ua zbutur zemërimin
I çojnë n’Manastir t’Deviqit
I mburrin se janë t’një rodi …
… stërnipa të Milesh Kopilit –
Të Kopiliqit!

(Heroi i Madh mesjetar –
Vra e kish’ Muratin e Parë
Se i kish’ ngrehë çadrat e Luftës
Në një Betejë Ballkanike –
Në prona t’Familjes së Mileshit
N’Miniera të sotme t’Thëngjillit
Mazgit – Shipitullë
E gjithandej – Goleshit!)

Zihen fytas – i ç’Fisi ishte!
– Nga Imi! – thotë i Pari
Dy të Tjerët e kundërshtojnë:
– Jo, nga Yti, as nga i Këtij!
Ai ishte nga Fisi Im!
Këtë e dijnë të Gjashtë Feudet:
Llap, Gallap, Anamoravë
Drenicë, Shalë e Dukagjin!

Dhe, për t’i çliruar nga xanxa
Djajtë i shalojnë b*thëprapë –
Si kuaj të harlisur – pup!
– S’dini gjë Ju për Mesjetën!
Po, kqyrni ç’ ju ka falë Zoti –
O, bufë të marrë e halldupë!

Në mbrëmje i ulin bashkë –
Mu në Grykë të Gërmisë
Pas vrapit maratonik
Arave, nëpër Vetërnik –
Shpatijeve të Hajvalisë!

I mburrin për vilat magjike
Me nj’atë super-arkitekturë
Në Prevallë e në Brezovicë –
Çiftet – s’ua keni pa’ kurrë!

Të nesërmen i çojnë –
Në Kadastër!
Ç’të shohësh?
Tapi të Vjetra!
Secila, më e ‘ruajtur’ se tjetra!
Mbeshtjellë me lëkurë dosash
Të tharqeve t’thive t’Uzhicës
Me Standarde të UNMIK-ut
‘Made in Belgrad’ –
Sjellë –
Në ‘Mahallë të Kacallarëve’
Me siglën KOS – PRISTINA
N’Agjenci t’Privatizimit
Me ndërmjetësim të BE-së –
Hanëmit të Dialogut:
Shyhret F. Mogherinit!

Aty i keni – të gjitha:
Nga Vakt i Sulltan Salepit –
Tanzimatit dhe Hyrrjetit
Dy Karamahmutëve
Kohës së Austrisë e Hunëve
Pastaj të Shekullit t’Gazepit –
Dy Kralëve të Zi serbë:
Aleksandrit e Petrit!

Tokave t’‘Zadrugave’ të Titos
Ua bëjmë ‘çaren’ ne vetë –
Me kismet!
Në Gjykata me dy dëshmitarë –
Pleq – që i ka harru’ Exheli
Po që i ‘mbajnë mend’ mexhat:
‘Poreznikë’, ‘Polarë’ e ‘Shumarë’!

Tani ato, që nga Sot –
Kanë Pronarë e – Zot!

U mbetet t’i riskanoni
Dhe – t’i trashëgoni!
Me nipa, kunata e tezakë
Me vjehrra e baballakë
Me dhëndurë e baxhanakë
Me kucë e me macë! –
(Le t’plasin ata që s’u rreshtuan
Krahas nesh – n’Hotele t’Tiranës!
Po, ikën – në Kukës e n’Bllacë)!

Të Tretë –
Për një çast mbesin pa gojë:
– Sa e Shtrenjtë paska qenë
Liria!
Kjo Fisnike e Madhe – Zojë!

4.

N’ferk t’sabahut –
Kryedjalli e zë Kryeparin
E lavdëron, e lavdëron …
Dhe –
Diçka … fësh-fësh – në vesh
I kujton …

… Atyre që u pate premtu’ –
‘Finalen‘ – do ta kërkojnë!
Je, a s’je Njeriu i Parë?!
Më i Madhi, nga të Tretë –
Më i Miri për ‘Aksham-Pazar’!

Vetëm pak …
Bjeshkëve të Shalës –
Zik-zak …
Teposhtë Luginës së Bistricës …
Nëpër Zhazhë e Vllahi …
Kah Ujmani – n’anën tjetër!
Ko-rri-gjim!
Pra … vetëm dy-tri Komuna
Që jua pat dhënë me “zor”
Ai Qenbirqeni i Zi –
Rankoviqi – n’vakt të Tij!

Tash, o burra –
Shfaqni pak fisnikëri!
Është koha t’i hiqni qafe –
T’ia ktheni fqinjës Serbi
Dhe, bashkë me to –
Edhe ‘Gropat e Trepçës’
Mbetur shkret –
Qe tridhjetë vjet!

Ju kujtohet ?
Në Mitrovicë, aty te Ura –
Nëpër tym …
“Parlé-vous-français”?
O, oui! O, oui!
Atë mëngjes –
Kur flisnit disi … me gishta
… gjysmëfjalë me bishta!
Tako – Jes!
Ovako – Jes”!

Si u bë q’u ndodhët Aty?
Ti – me atë Tjetrin ‘Trim’
Që dukej e zhdukej si Hije
Apo – ju kishte çu’ Dreqi
Dorëzanë – ‘allash-vereshi’?!
Sot e at’ ditë –
S’i ra kush n’fije!

Hë, pra … s’Ju kujtohet?!
Te Harqet e Urës së Ibrit –
Kur ‘mbinin’ Gurë me kryqa …
Diçka – si biçim Kufini!
Aty ku e keni vendosur sot
Mbi një Plato graniti –
Burrin me dy kobure në brez –
Plisbardhin – Isa Boletini!

Ju duhet Shtatorja e Tij –
Ju duhet!
Jo veç për Fushata zgjedhore
Kur hidhni Valle rreth saj –
Tupanxhi’ e Defatore
Por, dhe për t’jua hequr frikën –
Ai Burrë!
Kur e ‘zbatoni’ Taksën e Qeverisë
‘Qind për Qyl’ –
Nën Urë!

*
Djalli vazhdon t’i flasë –
Atij që e ‘meriton’ Lavdinë:
– Po e arrite ‘Marrëveshjen’
Për Ty do të këndohen –
Këngë epike – me sharki!
Ti – si një Sulltan me kule
Do ta zësh Ballin e Vendit
Këmbëkryq –
Në “Histori”!

*
Kryeparit na i kujtohet ‘loja’ –
“Fluturon – fluturon!”
Në atë tjetrin ‘Koalicion’ –
Për t’parin Demarkacion
Kur ve klluçe e bombola –
(Fshehur, mender jush –
në Zona midis … ‘kulesh’
Të Zonjave opozitare)
Binin mbi Koka të zgjedhura –
Nga dy-tri ‘milete votuesish’
Në Parlament –
Tym e gas – ‘batare’!

Pastaj –
Pastaj na i kujtohen
Çadrat e Ballaban Pashës
Në strehë të Pallatit t’Madh
Për ‘Kauzë’ që u bë Tërkuzë!
Kur pihej si “çaj rusi” rakia
Jehonin e alternonin
Lirikja e Heroikja –
‘Kah po shkon, moj Zanë’?
‘Ah, Kosovë, mos thu’j marova’ !
Që të Dyja –
N’çiftelia!

Ishte kjo – ‘zemërplasje’!
Kundër Hartave t’Komisionit
Të Demarkacionit –
Heu, atij na i raftë pika!
Kur qenë ‘betuar’ Trimat –
Se, fjalët luajnë – po jo Guri!
Pa u faru’ në Qafë t’Çakorrit –
Djem e Çika!

(I Pari, nga Mahalla e Madhe
Po edhe Dy të Tjerët –
Nga Dy Mahallët e Tjera
E dinin se Fjalët e Mëdha –
Porsi po*dhët në ‘Lojë Kapuçash’ –
I merr Era!)

5.

Një mbrëmje –
Djajtë i bëjnë bashkë
‘Trimat’ tanë
E i çojnë diku, symbyllur
‘Jashtë’ –
Biçim ‘Komisioni Shtetëror’
Për ‘trajnim’ për bisedime
Me Serbinë
Të Tretë –
Me Katërdhjetë … të Tjerë –
Dr. Mr. PHD
Të ‘Koteceve’ UP e UT
Tèt-à-tèt!

– Ku jemi?, – pyesin njëzëri
Prapë na kthyet në Hotel?!
N’Karabinanë me Pesë Yje –
Xixa-xixa – në Bruxel ?!

– Jo, jo, s’jeni në Bruxel!
Po – në Çubrel!
Te Përroni i Keq!
Mos me ju ra kush ‘mësysh’
Para ‘Marrëveshjes’ q’u pret –
U thotë më i Madhi Dreq!

6.

Mesnatë është …
I Pari majëgishtash ngrihet
Dhe niset …
– Ku shkon, ore ku shkon?
O, Komisar Gjarpush!
E ke harru’ këngën e vjetër:
‘Veç ndërgjegjes sate –
Prapa – nuk të ndjek kush’ ?!

Dhe, Ai, pa një pa dy –
Në TV ‘Kazan’ – shkon!
Aty, në ‘Zonën B.’ –
Si në Odë të Katragjyshit –
Gjel Kokoshit dhe miletit
Shkencërisht ua shpjegon:
Ç’do të thotë fjala Këmbim
E ç’është – Demarkacion!

“Mbani vesh, o Milet!
Për të siguruar Njohjen
E Pavarësisë –
Kufirin e bëj pak ‘synet’ –
Pa i dhënë ‘asgjë’ Serbisë”!

Dhe –
Për atë që s’e jep
Kosova e Tij fiton –
(Kur palët të jenë marrë vesh)
Një Shllungë të Madhe –
Lesh!

7.

Mëngjesi gëdhin
Dhe i Pari ngrihet
Pa gjumë në sy –
Si t’ia mbyllë mirë at’ gojë –
Me një ‘Asociacion’ të Ri
Të mos bëjë ‘bela’ të reja
Fqinja faqezezë – Serbi?!

Sakaq –
Me një vendim ‘Yrysh-Siklet’
Nis Ministrin e Përjashtëm –
Dr. Rrumpallë Tyxharin
Me Ajrrupllanin e vet –
Në Ujëdhesa të Paqësorit –
Gaga-K’hu e Kaka-Dadhë
Për t’i anulluar ç’Njohjet –
(Gjashtë – i kishin ra pishman)
Një nga një – me radhë!

Sakaq –
E gjen në prag të derës
Një Pako t’Madhe – Dhuratë !
‘Projekt-Aneks-Marrëveshje’ –
Nga Kryekaraministri Shalëgjatë
I Nânës Shqypëri –
Hartu’ me Homologun … vić
(Mbas kthimit nga Beligradi)
Vëllain ideologjik të Tij!
Paketu’ – me shije Piktori
Lidh’ me fjongo – ‘Kuq-e-zi’!

Kuq-e-zi ?!
“E zeza u raftë mbi kry”!
Mallkojnë plakat –
Në Cerajë e Mazhiq –
Mbi Zveçan!
Kur i shohin në TV –
Dy B*thëkuqët Shejtan’
Me seli:
Njëri – n’Bunker në Surrel
Tjetri – në Kalamegdan!

Eh, kush janë Ata, kush janë!
Ustallarë – lëkurërrjepës janë!
Që fshehin diçka mbas shpine
Dhe shtirën si babaxhanë!

Po, ç’duan ata, ç’punë kanë ?!
E, po –
Duan t’i bien kurrizit t’Kosovës
Mespërmes me Gërshanë –
Si një ‘Pajtim Histôrik’ –
T’i bëjnë ‘Dy Nënat’ e Tyre:
Serbinë e Shqipërinë – ‘Taman’!

8.

Në mbrëmje –
I Pari nga të Tretë
E lë Kryekullën e shkon –
Në Vendlindje t’Anekdotave
Ku shpirti shtetkrijùs
E shtetndërtùs –
I pushon!

Se, rrafsh qe 20 vjet –
Plaka Del Ponte – si hije
Me Burrneshën Ashton
E kanë lodhur aq shumë!
– Flej, flej! – i thonë ato
Po, në terr i shfaqet D. Marty –
Shtrigani që e lë pa gjumë!

Në ag, pa le Dielli –
‘Bariu Ynë’ me shkop në dorë
Arrin majë Mali në Qyqavicë !
Kope t’bardha sheh q’andej …
Që i duken –
Herë si votues besnikë
Herë si dele –
Q’u prin Ogiçi zevzek –
Në livadhe e zabele!

Sakaq, na i kujtohet
“Bagëti e Bujqësia” –
E prek fyellin në brez
Dhe –
Me tërë fuqinë thërret:
– Kullotni, ore kullotni!
Ju, o delet e mia!

Ju bekoftë Perëndia!

Muzgu bie …
Ai, teposhtë Malit –
Tërthoreve ngadalë zbret!
Vetja i duket Barí i Urtë –
Kur e kujton Kopenë!
Po, kur e kap Delir’i Lavdisë –
Ai është më i Madhi – Mbret!

*
Mbret ?
Po, ç’Mbret, ore ç’Mbret ?!
Zoti e ruajtë ‘Grigjën’ e Tij! –
‘Trembur’ si mos më keq
Nga Çobanë batakçinj!

Ata –
Nuk e kanë hallin e ‘Vathës’ –
As ‘Ujqit’ nuk janë më – Halli!
Ata janë Halli – Vetë!
Shpirtligj – të shitur te Djalli!

9.

Ç’bela e gjeti, ore, ç’e gjeti –
Këtë të ziun Vilajet ?!
Ç’i kanë hypur mbi kurriz –
E shalojnë e s’e lëshojnë
Togje-Togje Deputetë!
Batalione Ministra –
E Zëvendësministra
E Ndihmëszëvendës të Tyre –
Gjysmë-analfabetë!

Dhjetamijëra argatë –
Çatipë që ‘mrizojnë’
Nëpër Zyra t’Punëve t’Kota
Derisa t’i vihet tagri –
‘Gjahut’ për ‘Zgjedhje të Reja’:
Një thes Euro – Tre thasë Vota!

Eh, ç’taksirat e gjeti –
Dardaninë me këta Tyxharë
Fajdexhinj e Pazarxhinj –
Pushtetarë!

Ditën shahen në Parlament –
Me ‘Nana e me Motra’!
Natën këndojnë – duet!
Në dasma e syneti !
N’avuj çoftesh e suxhuku –
Me Whisky e me Raki!

Bini djem, bini Tavanit!
Nga d’rrasat e Trapazanit
Me patllake –
Bam e bam!
E, bam e bam!
Lum’ si Ju – hallall e paçit!
‘Rrupuplikën’ Tuaj të Shtrenjtë
Deri në një tjetër – Zaman!

Ata –
Që s’ia bëjnë ‘hyzmetin’ –
S’kanë si t’ia dijnë ‘lezetin’!
Ndaj –
Marrsh!
Me Viza e pa Viza –
Kush Ju mban?!
S’Ju pëlqen ‘Rrupuplika’?
Gjejeni një tjetër – Vatan!
____________
*) Djajtë janë Alteregoja e Kryeheronjve të kësaj kënge
_________
Qershor 2019