.
×

Shumë shpejt fillon numërimi i votave me kusht



 

Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve(QNR) pritet t’i shtohet edhe një kontingjent i kutive të votimit për rinumërim, kjo për arsye të mos përputhjes së të dhënave.

 

 

Koordinatori në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj për KosovaPress tha se QNR-ja është duke përgatitur raportin e auditimit, të cilin do ta dërgoi në KQZ bashkë me rekomandimet dhe nuk përjashtohet mundësia që do të ketë edhe rinumërime të tjera.

Ai nuk ka treguar për numrin e kutive, por ka thënë se rekomandimet do t’i dërgohen sot KQZ-së.

Por, burime të KosovaPressit brenda KQZ-së pohuan se edhe një kontingjent i kutive do të shkojnë për rinumërim.

“QNR-ja është duke përgatitur raportin e auditimit, të cilin do ta dërgoi në KQZ bashkë me rekomandimet dhe nuk përjashtohet mundësia që do të ketë edhe rinumërime të tjera, mirëpo jemi në proces e sipër të përgatitjes së raportit dhe nuk është finalizuar raporti, për këtë nuk mund të themi se sa është numri i tyre… Arsyet janë të njëjtat të rinumërimeve, gjithmonë duke ju referuar kategorive që ishin më herët, kur subjekti nuk figuron fare, ndërsa tek kandidatët ka vota. Arsyet tjera janë se një kandidat ka më shumë vota se sa subjekti”, theksoi Ahmetaj.

Sipas tij, QNR është akoma në fazën e fundit të futjes së të dhënave të formularëve të rezultateve si për subjekte ashtu edhe për kandidatë.

Ahmetaj tha se shumë shpejt do të fillojë edhe procesi i numrit të votave me kusht dhe atyre me postë.

 

“Nuk e kemi të kompletuar të gjithë procesin, akoma jemi në fazën e fundit të futjes së të dhënave të formularëve të rezultateve si për subjekte ashtu edhe për kandidatë. Jemi afër kompletimit të skanimit të listës përfundimtare të votueseve ku regjistrohen sipas të dhënave të gjithë votuesit që kanë votuar. Po ashtu, jemi në përmbyllje të procesit të regjistrimit të votueseve me kusht me qëllim që të bëhet regjistrimi i votuesve të rregullt dhe me kusht. Pra, pa u kompletuar këto dy procese nuk mund të filloj procesi i numërimit me kusht”, theksoi Ahmetaj.

Koordinatori i QNR tha se rinumërimi i vendvotimeve nga auditimi sot pritet të përfundoj, ku janë gjithsej edhe 44 vendvotime, të cilat do të rinumërohen gjatë ditës së sotme. Ahmetaj tha se janë 30 vendvotime nga pranimi dhe 115 nga auditimi deri më tani që janë rinumëruar.