.
×

Shumë nxënës në Rusi po alivanosen nga uria



Një avokat për të drejtat e popullit në Rusi ka thënë se numri i nxënësve që po alivanosen nga uria është duke u rritur për shkak të pamundësive financiare për të blerë ushqim gjatë kohës sa qëndrojnë në shkollë.

Dmitr Kislitsyn shprehu shqetësim për këtë fenomen gjatë prezantimit të një raporti në kuvendin rajonal të Kemerovos, që ndodhet në pjesën qendrore të Siberisë. “Disa fëmijë hanë drekë gjatë kohës së mësimit, por të tjerët qëndrojnë në klasë dhe nuk hanë asgjë. Rastet kur fëmijët po alivanosen janë rritur dhe kjo na shqetëson”, tha ai.

Avokati tha se prindërit e këtyre fëmijëve nuk kanë mundësi financiare t’i ushqejnë ata as në mëngjes, e lërë më për të dhënë të holla për drekën e tyre. “Këto nuk janë raste të izoluara. Në fillim ishte vetëm një fëmijë që alivanosej nga uria, ndërsa tash janë në grumbull sosh”, shtoi ai, duke thënë se ky problem është më i shpeshtë te fëmijët që udhëtojnë nëpër zona rurale.

Mediet ruse kanë raportuar se rregullat e sanitarisë në shkollat publike ua ndalojnë shkollave që ta përdorin ushqimin e sjellur nga shtëpitë e nxënësve. Sidoqoftë, një mbikëqyrës i sigurisë së konsumatorëve ka thënë se ata nuk ua kanë ndaluar fëmijëve që të marrin ushqim nga shtëpia dhe ta hanë atë në shkollë, shkruan “Free Europe”.