[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Shtimi i rasteve, këto janë masat që pritet të merren në Prishtinë



Botapress 21 Tetor – Prishtina vazhdon të jetë qyteti me numrin më të madh të të infektuarve nga COVID-19 tash e disa javë. Sot janë shënuar 72 raste pozitive.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, deklaroi se pret të rritet kontrolli, para një vendimi ndryshe për kryeqytetin.

Nga 124 persona të infektuar me koronavirus në 24 orët e fundit, 72 janë nga Prishtina.

Gazeta Express nga burime brenda Ministrisë së Shëndetësisë mëson se momentalisht nuk do të ketë masa të reja në kryeqytet.

“Do të mbikëqyren institucionet lokale dhe qendrore në Prishtinë. Do të ketë shtim të mbikëqyrjes së respektimit të masave ekzistuese. Po ashtu do të shikohet a po respektohet qarkorja e shpërndarë nëpër institucione për reduktim të takimeve. Do të shtohen inspektimet në qytet. Do të mbikëqyret respektimi i masave aktuale”, ka thënë ky burim.

Ndërkohë, Express mëson po ashtu se pritet të ketë një takim ndërmjet kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, për të diskutuar rreth situatës me COVID-19 në vend.

Çka përmban qarkorja që Ministria e Shëndetësisë ka dërguar në institucionet lokale dhe qendrore

Të gjitha institucionet qendrore dhe lokale, duhet t’i ndalin urgjentisht seminaret, punëtoritë dhe format tjera të organizimit ku ka grumbullim njerëzish, sikurse edhe veprimtaritë e ndryshme, të panevojshme. Rekomandohet të përdoren format online të takimeve, të punës dhe aktivitetet tjera.

Policia e Kosovës dhe të gjitha inspektoratet pa dallim, bashkë me komunat dhe shtabet emergjente, duhet të veprojnë urgjentisht në parandalimin e përkeqësimit të situatës.

Së bashku, inspektimet duhet të vazhdojnë me ritëm të shtuar, gjobat të jepen sipas Ligjit për luftimin e pandemisë Covid-19 dhe të zbatohet me përpikëri, pa përjashtim.

Secili institucion të ketë veprime në pajtim me ligjin dhe në ditët në vijim do të ketë raportim për aktivitetet e ndërmarra për të parandaluar një valë tjetër, e cila në rrethanat edhe të gripit sezonal dhe viruseve tjerë eventual, mund të shkaktojnë përkeqësim të situatës së pandemisë.

Ndërkohë, numri total i personave të infektuar nga koronavirusi në Kosovë ka shkuar në 17 mijë e 263, derisa deri më tani janë testuar 82 mijë e 678 persona.

IKSHPK ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 49 pacientë, ndërkaq numri total i të shëruarve ka shkuar në 14 mijë e 836.

1 mijë e 770 persona po përballen ende me koronavirusin, derisa 657 kanë vdekur si pasojë e tij.

Menu Title