.
×

Shqiptarët në veri përballen me fatura të Elektroenergjetikës së Serbisë



Banorët shqiptarë të veriut të Mitrovicës përballen me kërkesën e njëjtë sa herë vjen fundi i muajit. Atyre u shkojnë fatura për energjinë nga i ashtuquajturi “Elektrokosmet”.

Po diskutojnë për shumën që u ka ardhur për shpenzim mujor të energjisë elektrike. Këta banorë shqiptarë që jetojnë në pjesën e Mitrovicës, të banuar me serbë, kanë rënë në hall me Industrinë e Elektroenergjetike të Serbisë.

Ky institucion paralel për çdo muaj ua dërgon faturat për pagesë të energjisë së shpenzuar.

Madje ditëve të fundit punonjësit e të ashtuquajturit “Elektrokosmet” kanë filluar t’i kushtëzojnë banorët, me shkyçje nga rrjeti në rast mospagese.

“Nuk ka as vule as kurgjo, vetëm shenjën e Elektrokosovës… Nëse nuk i kryen obligimet e juaja do të çkyçeni nga rrjeti”, tha njw banor.

Përfaqësuesi i lagjes së Kodrës së Minatorëve thotë se derisa banorët serbë nuk e paguajnë energjinë, të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe ata shqiptarë.

“Edi që komuniteti serbë nuk, pagun asnjëri prej tyre kojshi që i kam nuk e pagujnë…”, theksoi Gani Hysenaj Përfaqësues i Lagjës “ Kodra e Minatorëve”.

Hysenaj u bën thirrje banorëve shqiptarë të veriut që mos ta paguajnë rrymën e konsumuar.

Ndërkohë, asamblistët shqiptarë premtojnë se kjo çështje do të ngrihet në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut.

“Në momentin e parë këtë çështje do të ngrisim në kuvend. Duhet të presim derisa KEDSi kontrakton një kompani për inkasimin e mjeteve…”, theksoi Bashkim Cimili Asambleist në Komunëne Mitrovicës Veriore.

Banorët shqiptarë të Veriut të Mitrovicës kanë kërkuar nga Institucionet e Republikës së Kosovës që sa më shpejt të gjendet një zgjidhje për këtë problematikë me të cilën ata përballen çdo muaj.