.
×

Shqiptarët e Luginës së Ibrit duhet rregullojnë dokumentacionin përkatës për të treguar se i takojnë Mitrovicës Jugore



Hysni Syla-Botapress

Shqiptarët e Luginës së Ibrit duhet rregullojnë dokumentacionin përkatës për të treguar se i takojnë Mitrovicës Jugore

 

 

Ndonëse fshatrat e Luginës së Ibrit, Suhadolli, Gushafci, Vinarci e Vidimriqi, zyrtarisht  i takojnë Komunës së Mitrovicës Jugore, banorët e tyre vazhdojnë të kenë probleme të ndryshme sa i përket regjistrimit të automjeteve dhe rregullimit të dokumentacionit tjetër.

 

Fatmir B. Nga Suhadolli, tha për Botapress se pronarët e automjeteve nga ky fshat po kanë telashe me regjistrimin e automjeteve, pasi që Qendra për regjistrimin e automjeteve në pjesën jugore të qytetit, nuk po ua regjistron ato,por po i detyron që regjistrimin e automjeteve ta bëjnë në Mitrovicën veriore.

 

“Ne e dimë se jemi qytetarë të Komunës së Mitrovicës Jugore, por Qendra e regjistrimit të automjeteve po na detyron që automjete t’i regjistrojmë në Mitrovicën Veriore, edhe pse ne tatimin, shërbimet për mbeturina dhe të tjera i paguajmë në pjesën jugore. Kjo qendër kështu po na nxjerr telashe,pasi që ne jemi pjesë e Mitrovicës Jugore dhe nuk pranojmë të mbesim me Mitrovicën Veriore”, tha ai.

 

Për të sqaruar këtë dukuri, Botapress ka pyetur menaxherin e Qendrës së regjistrimit të Automjeteve në pjesën jugore të qtetit, Jetullah Zenelin, se a është kjo e vërtetë dhe pse veprohet kështu.

 

Menaxheri Zeneli, ka mohuar se qendra që ai menaxhon i detyron banorët e Suhadollit dhe fshatrave tjera të Luginës së Ibrit, të cilët me dokumentacion përkatës  dëshmojnë se janë banorë të këtyre fshatrave, të cilat janë pjesë e Mitrovicës Jugore, detyrohen t’i regjistrojnë automjetet e tyre në veri të Mitrovicës.

 

“Ne i kryejmë shërbimet tona për regjistrimin e automjeteve për të gjithë ata qytetarë, emrat e të cilëve janë të përfshirë na data-bazën që ne e kemi, se janë qytetarë të Mitrovicës Jugore. Askush  deri tash që është i përfshirë në këtë data-bazë, nuk është detyruar të regjistroj automjetin e tij në Mitrovicën Veriore”, është shprehur ai.

 

Sipas Zenelit, janë vet qytetarët e këtyre fshatra ve që nuk e kanë rregulluar dokumentacionin përkatës se janë qytetarë të Mitrovicës Jugore, prandaj edhe Qendra e Regjistrimit Civil,e cila neve na i dërgon të dhënat e data-bazës nuk i ka përfshi në të e që do të thotë se ata i përkasin Mitrovicës Veriore.

 

“Madje, një pjesë e banorëve të këtyre fshatrave, me qëllim nuk duan të rregullojnë dokumentacionin përkatës për të qenë banor i Mitrovicës Jugore dhe për tu përfshi në data-bazën që e dërgon sektori i gjendjes civile, me qëllim që t’i ikin taksës komunale për regjistrimin e automjeteve e që është 10 deri në  20 euro, taksë të cilin në veri nuk e paguajnë, ka thënë ai.

 

Zeneli shton në vazhdim, se është edhe një tjetër çështje pse këta banorë preferojnë që automjetet t’i regjistrojnë në veri e jo në jug. “Këtu një Mitrovicën Jugore, për të regjistruar automjetin pronarët duhet të kenë dëshminë që i kanë përmbushur obligimet ndaj shtetit, që do të thotë se ata duhet të paguajnë të gjitha borxhet që kanë, gjë që s’duket në veri këtë nuk po e bëjnë”, ka thënë ai.

 

Sidoqoftë, banorët e fshatrave të Luginës së Ibrit,duhet të rregullojnë dokumentacionin përkatës dhe të bëhen banorë të Mitrovicës Jugore, pasi që zyrtarët e Mitrovicës Veriore po deklarojnë se këta janë qytetarë të Komunës që ata e menaxhojnë dhe këtë po e marrin si shkas për të mos e nënshkruar marrëveshjen për përcaktimin e vijës ndarëse ndërmjet dy komunave./Botapress