.
×

Shpend Ahmeti thotë se nuk ka dokumente që tregojnë se Thaçi e Vuçiqi janë marrë vesh për kufijtë



Kreu i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, që bashkëkryeson delegacionin e krijuar nga Kuvendi për dialogun me Serbinë, ka thënë sot se beson që Presidenti Hashim Thaçi i ka dhënë të gjithë dokumentacionin dhe nuk pret informacione shtesë rreth asaj se çka ka biseduar deri tani Thaçi me Aleksandër Vuciqin.

Presidenti Hashim Thaçi u ka dhënë një dokument modest nëntë faqesh ekipit negociator që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj.

Ahmeti sot në një konferencë për media ka thënë se nuk kanë pranuar ndonjë dokument të shkruar, që paraqet ndonjë draft marrëveshje.

Megjithatë, bashkëkryesuesi i delegacionit ka treguar se janë mjaftuar me materialin që morën nga presidenti dhe se nuk presin më shumë informacione.

“Nuk kemi pranu dokumentacionin një draft marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, por tashmë nuk presim asnjë informatë shtesë dhe besoj se gjatë javës në vijim do ta dorëzojmë platformën në Kuvend platforma do dërgohet posa të filloj sesioni pranveror para seancës do të jemi në gjendje ta dorëzojmë platformën që është e bazuar në Kushtetutën e Kosovës”, tha Ahmeti.

Ai ka thënë se kanë kërkuar dokumente për të shikuar nëse dy presidentët deri më tani kanë arritur ndonjë dakordim rreth ndryshimit të kufijve.

“Është e qartë kjo kohë e krijimit të delegacionit ka qenë ideja me mbledhë më shumë fakte e informacione, se çka ka ndodhë deri më tani, për të kuptuar rreth temave të përfolura se a ka marrëveshje të dakorduar mes dy presidentëve që flet gjoja për ndryshim të kufijve e parimeve tjera. Tashmë është e qartë se pas takimit me Mogherimin, që e kemi pas dhe letrat zyrtare, kemi kërku të na u dorëzohet dokumentacioni për procesin e deritanishëm të dialogut”, tha Ahmeti.

Por, bashkëkryesuesi i delegacionit thotë se nga dokumentet e marra nga Presidenti kanë konstatuar se nuk ka ndonjë marrëveshje për këtë çështje.

“Kemi konstatu se kjo fazë është në pjesën fillestare në Bruksel na është thënë se nuk kemi asnjë dokument dhe presim nga pala kosovare me pas me shkrim zyrtar për temat dhe pozicionet dhe tani ne do të i përgatisim për temat qe duhet të trajtohen dhe na është konfirmuar me shkrim e takim se nuk ka asnjë draft e marrëveshje dhe tani është detyrë e delegacionit me negocu siç kërkon rezoluta e Kuvendit”, tha ai.