[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Shpend Ahmeti reagon pasi gruaja shtatzënë u sulmua nga qentë në Prishtinë



Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pasi një grua shtatzënë është sulmuar nga qentë endacakë në lagjen “Mati 1”.

Ahmeti ka shkruar se situata me qentë endacakë është alarmante.

“Situata me qentë endacak është alarmante në çdo Komunë të Republikës së Kosovës. Edhe njëherë javën e kaluar të gjitha Komunat përmes Asociacionit në takim urgjent me AVUK kërkuam strategji emergjente për dalje nga kriza por hasëm në vesh të shurdhër thua se është thjeshtë çështje administrative”, ka shkruar Ahmeti.

Ai ka shkruar se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka marrë buxhet 1.3 milionë euro për ta trajtuar çështjen e qenve endacakë, por situata është edhe më keq.

“AVUK ka marrë buxhet 1.3 milion euro për krejt Kosovën për këtë çështje por sot jemi më keq se që kemi qenë. Ligji kërkon që qentë endacak të trajtohen dhe të KTHEHEN në rrugë. Vetëm veterinari i certifikuar mund të vendos për eutanazimin e qenit dhe vetëm në qoftë se është i sëmurë. Përkundër qindra mijëra eurove të shpenzuara edhe nga Komuna kjo çështje nuk mund të zgjidhet nga komunat veç e veç. Kjo kërkon strategji gjithëpërfshirëse dhe hapa emergjent tani”, ka shkruar i pari i Prishtinës.

Ahmeti ka kërkuar nga Presidenti, Kryeministri e deputetët që ose t;u japin përgjegjësi të plotë komunave, ose të shpallin gjendje emergjente për ta trajtuar situatën.

“Sot në Prishtinë është kafshuar një grua shtatzënë. Z. President, Z. Kryeministër, deputetë: Ose na jepni përgjegjësinë Komunave, përgjegjësinë e plotë ose shpallni gjendjen emergjente për ta trajtuar situatën! Kur të kemi viktima, mos të vajtojmë!”, ka shkruar Ahmeti.

Menu Title