.
×

Shoferi i Bekim Jasharit thotë të jetë kërcënuar nga Sami Lushtaku, ky i fundit e mohon



Është qetë në shkollën ‘Idriz Barani’ në Klinë të Epërme të Skenderajt. Por, një natë më parë, aty kishte shumë tollovi. Anëtarët e PDK’së ishin në prag të përleshjes gjatë kuvendit zgjedhor në këtë nëndegë. Alban Berisha, kryetar i Rinisë Demokratike në Skenderaj, ka thënë se është sulmuar verbalisht nga Murat Mecini, shoferi i kryetarit të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.

Mirëpo Mecini e thotë të kundërtën. Në një bisedë për T7, thotë të jetë kanosur nga Sami Lushtaku. Ndonëse nuk pranoi të deklarohet para kamerës, Mencini tregoi se e ka paraqitur në polici, kërcënimin që sipas tij ia ka bërë ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.

Se pati incident në degën e PDK të Skenderajt e konfirmon edhe Policia e Kosovës. Por, i kontaktuar nga T7, Sami Lushtaku ka mohuar të ketë kanosur Murat Mecinin. T7 merr vesh se Policia e Kosovës në ditët në vazhdim do të intervistojë ish-kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtakun. E i pari i komunës së Skenderajt Bekim Jashari, nuk ka pranuar të flasë, me arsyetimin se Murat Mecini, ka qenë pjesëmarrës në kuvendin e PDK’së si banor i fshatit e jo si shofer i tij.

E për këtë ngjarje, nuk ka dashur të flasë as nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku, një tjetër figurë e rëndësishme e PDK në këtë qytet. Dy grupet brenda PDK’së në Skenderaj janë deklaruar se kanë arritur një pajtim mes vete. Megjithatë përtej kësaj fotografie, situata është ndryshe në bastion e PDK’së