.
×

Shoferi e nipi i Agim Bahtirit sulmon rojën e parkingut të komunës



Qerim Hetemi, roja i parkingut të komunës së Mitrovicës është sulmuar të premten nga Nehat Bahtiri, shofer i kryetarit të komunës Agim Bahtiri dhe, në të njëjtën kohë, djalë i vëllait të tij.

Hetemi është veteran i UÇK-së dhe punon në parkingun zyrtar të Komunës se Mitrovicës në të cilin hyjnë vetëm veturat zyrtare të Komunës

Hetemi tha për KALLXO.com se ngjarja ka ndodhur kur ai ishte në detyrë.

“Sa isha në punë ka ardhë Nehat Bahtiri bashkë me dy rojet e sigurimit të Kryetarit dhe kanë kërkuar të hyjnë në parking me një veturë private. Unë ua kam kërkuar lejen se a mund të futen në parking, ata më kanë sharë fillimisht dhe me dhunë kanë provuar të fusin veturën në parking kur unë e kam marrë telefonin ta thërras policinë ata ma morën edhe telefonin dhe ma hodhën në tokë, dhe më kanë rrahur dhe tani jam në tretman mjekësor” u shpreh ai.

Hetemi tha se rastin e ka paraqitur në polici mirëpo thotë se hetuesit dhe prokuroria më shumë janë marrë me të se me shoferin e kryetarit Bahtiri.

“Ata janë liruar dy orë para meje nga stacioni policor”, tha Hetemi.

Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë në rajonin e Mitrovicës tha se rasti do të procedohet në procedurë të rregullt drejt prokurorisë.

“Personat janë marrë në pyetje si të dyshimtë ndërsa njëri është deklaruar se është Zyrtar i Komunës, ndaj dy personave është hapur rast. E e tëra ka ndodhur për shkak të parkimit të veturës civile që kanë synuar ta parkojnë në parkingun zyrtar të Komunës”, tha zëdhënësi Zahiti.

Ndërsa kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nuk ka dashur të prononcohet rreth këtij incidenti.