.
×

Shkëlqen Peja, e ‘bombardon’ Sutjeskan dhe e merr primatin



Peja ka shkëlqyer ndaj KK Sutjeskas, të cilën e mposhti sonte me rezultat 83:64, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e gjashtë të fazës së grupeve të Ligës Ballkanike.

Skuadra e Boris Kurtovicit ka zhvilluar një ndeshje fenomenale, duke dominuar totalisht ndaj kundërshtarit.

“Verdhezinjtë” e mbyllën çerekun e parë me epërsi katërpikëshe, 16:12, ndërsa në atë të dytë malazezët ishin paksa më të mirë, të cilin e fituan 20:18, por pjesa e parë u mbyll me epërsi dypikëshe për vendësit, 34:32.

Pejanët e mbyllën çështjen e fituesit në 10 minutëshin e tretë, të cilin e fituan 22:11, ndërsa në periudhën e fundit epërsia e tyre shkoi deri në 22 pikë (77:55).

Periudha e katërt u zhvillua sa për sy e faqe, pasi fituesi tashmë dihej. Atë e fituan pejanët, 27:21. Tek Pejanët, 12 treshe i ‘bombarduan’ mysafirët. Kjo njëherësh ishte një hakmarrje e ekipit kosovar ndaj atij malazez, i cili në ndeshjen e parë kishte fituar në sekondat e fundit, 86:84.

Alban Veseli ka shkëlqyer tek pejanët me 18 pikë, kurse tek mysafirët u shqua Nikola Zizic, me 11 pikë.

Peja e mori primatin në Grupin A me 10 pikë, prej tyre katër fitore e dy humbje. Nënkampioni i Kosovës synon ta mbajë këtë pozitë deri në fund të fazës së grupeve.