.
×

Shënohet 11 vjetori i kalimit në amshim të imzot Mark Sopit



11 vjetorin e kalimit amshim Kishën Katolike SHËN NDOUT Binçë u mbajtmeshë e përndritur për nder imzot Mark Sopit

Lekë MRIJAJ

Mesha e përndritur për nder të imzot Mark Sopit u mbajt sotme 11.01.2017, në Kishën Katolike të “SHËN NDOUT”, në Binçë aty edhe ku pushon trupi i mons. Mark Sopit, mesha është mbajt nën pjesmarrjën e besimtarëve të Binçes e celebruar nga dekani i dekanatit të Pejës e famullitari i Klinës, don Lenc Sopi e përcjellur nga famullitari i Binçës don Aleksander Kola e don Lush Sopi. Mesha e përndritur u mbajt në shenjë të 11 vjetorit të kalimit në amshim të pasardhësit të martirëve të karadakut e prelatit të ipeshkvisë së Kosovës imzot Mark Sopit i cili që në fillim si meshtar i ri ishte plot vrull. I rritur e frymëzuar nga prindërit e tij e meshtarët të zellshëme atdhetarë, ai pas shugurimit të tij në Romë menjëherë emërohet nga ipeshkvi i ipeshkvisë Shkup-Prizren imz. Nikë Prela në cilësin e sekretarit të ipeshkvisë e meshtarit në Ferizaj duke u vënë në ballë të punës së tij meshtarake.

Pas disa vitesh pikërisht nga viti 1974 përplot 17 vite radhazi shërbeu në Kishën e “Shën Gjon Pagëzuesit” në Zllakuqan i cili u ballafaqua me vështirësi të mëdha, meqë në atë kohë në Kosovë sundonte apo më mirë të themi pushtetin e mbante sistemi komunist jugosllav, gjë që kishën katolike shqiptare dhe hierarkinë e saj në pergjithësi e konsideronte aleate të vendeve euroatlantike, si të rrezikshme e armike të përbetuar të regjimittë saj. Imzot Mark Sopi kishte guximin dhe vepronte me qëndrime të prera, filozof e spirituoz ashtu siq e kërkonte edhe misioni i tij shpirtëror që do të thotë i pamposhtur për asnjëherë edhe përkundër trysnive të rrezikshme që i kanoseshin gjatë asaj kohe nga ana e pushtetit. Besimtarëve të trevës ku sherbeu ai, për afro dy dekada u bëri shërbime të shumëfishta, ndër të cilat duhet të veçojmë organizimin e jetës baritore, ndërtimin e Kishave, kapelave, meremetimin e thellë të Kishës së “Shën Gjon Pagëzuesit” në Zllakuqan, themelimin e të dyja famullive të reja kishtare, të Klinës dhe asaj të Budisalcit ndaj ishte i perkushtuar edhe në sfera të tjera që do të thotë se imzoti nuk ishte i përqendruar vetëm në lëminë e meshtarisë-eukaristisë e katekizmit por se angazhimi i tij ishte gjithpërfshirës edhe në sfera të tjera kombëtare e humanitare në mbeshtetje të kauzës kombëtare aktiv edhe në pajtimin e gjaqeve, ngjarje e cila ka qenë me rëndësi për gjithë kombin shqiptar dhe njëkohësisht që ka qenë pararojë e ndërgjegjes sonë kombëtare për liri e pavarësi. Motoja e imzot Sopit ishte lutja, humanizmi e ruajtja e identitetit të përgjithshëm kombëtar, gjuhës, flamurit e traditës nën binomin për “Fe dhe Atdhe” i frymëzuar në plotni në veprat e parardhësve të tij, imz. Pjetër Bogdanit, atë Shtjefën Gjeçovi, atë Lorenc Mazreku atë Engjëll Palaj, atë Klement Miraj, atë Luigj Palaj, atë Marjan Prela, dom Pjetër Berisha etj. Dihet qartë se me 22 tetor 1982 kur Shën. Nënë Tereza ishte në Zllakuqan të Klinës.

Ishte  i ndjeri imzot Mark Sopi ( që ishte në cilësinë e famullitarit) e ndihmësi i tij don Fran Sopi të cilët e pritën Shën. Nënë Terezën në Kishën e “Shën Gjon Pagëzuesit” në Zllakuqan në ç’rast Shën. Nënë Tereza në atë kohë  foli nga ballkoni i zyrës së famullisë, ku ju drejtua masës së madhe të besimtarëve me fjalë e lutje në gjuhën shqipe. Menjiherë pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri nga viti 1991-1994, imz. Marku së bashku me don Damjan Kurtin, në mënyrë vullnetare shkoi në Durrës si misionar për ta ndihmuar dhe shërbyer Kishën e popullin martir, duke dëshmuar kështu vepra të mira dashurie vëllazërore, shpirtërore e përkushtimin të  misionit të tij meshtarak e gjithëpërfshirës.

Imz. Mark Sopi shugurohët si ipeshkëv në Kishën e ‘Shën Pjetrit” në Romë nga ana e Papa Gjon Palit II që do thotë se me 18.shkurt.1996 edhe e mori bekimin e Tij dhe timonin udhëheqës të kishës katolike në Kosovë. Gjatë kohës së tij si ipeshkëv i Kosovës për dhjetë vjet radhazi imz.Mark Sopi, kontriboi shumë në çështjen kombëtare dhe e forcoi kishën katolike shqiptare në Kosovë që do të thotë se komunitetit katolik shqiptar në Kosovë i dha një zë të fuqishëm duke e përdorë gjuhën e arsyeshme, të dialogut, mirëkuptimit e mençurisë gjatë periudhave të para, gjatë, e pas luftës së Kosovës. Si një prelat i ipeshkvisë së Kosovës e atdhetar kishte një përkujdesje për mbarë Kosovën, të cilit për asnjëherë nuk i mungoj angazhimi në promovim të vlerave njerëzore e tolererancës nderfetare, pikërisht edhe përmes “Caritasit” ishte gjithmonë në shërbim të të varfërve dhe të rrezikuarve, i hapur edhe me të tjerët, ishte mik i ngushtë i presidentit historik dr. Ibrahim Rugovës, ish-myftiut të BIK-ut Rexhep Bojës, e ambasadorëve të tjerë ndërkombëtar që ishin të akredituar në periudhën e menjëhershme të pasluftës në Kosovë. Mbahet mend fjalimi briliant nga Shkëlqesia e Tij Imzot Mark Sopi, që ishte një fjalim i sojit “Fishtian” mbajtur më 18 maj 2005 në senatin Amerikan, në kërkim e mbështetje të lirisë, demokracisë e pavarësisë për të cilin tha se është pavarësija e Kosovës që do të jetë një ombrellë dhe do të prodhojë vetëm paqe e stabilitet për të gjithë rajonin, ballkanin e Evropën gjë që vërtetë u dëshmua qartazi se prelati ka një gjenezë të pastërt shqiptare dhe se tamam i përket trungut heroik të martirëve të Karadakut.

Duhet kujtuar se imzot Mark Sopi s’bashku me presidentin historik dr. Ibrahim Rugovën bëri vendosjën e gurthemelit të Katedrales së Prishtinës për nder të 95-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës e 600-vjetorit të lindjes së kryeheroit kombëtar Gjergj Kastriotit. Gjatë vendosjës së gurthemelit të Katedrales perveç strukturave të larta qëndrore të Kosovës kishin marrë pjesë edhe Kardinali i Washington-it Shkëlqësia e Tij Theodore Edgar McCarrick e ministri italian Roko Butilione i cili para pjesmarrësve kishte theksuar se për të është një gëzim e nder i madh që ishte në inaugurim e nën hijen e praninë e Nënës Terezës. Atëherë kur pritej prej Imzot Mark Sopit më së shumti, iu ndërpre ecja në këtë botë. Hyu e thirri nga kjo jetë për në amshim, që do thotë se pësoj atak kardiak e ndërroi jetë në spitalin e QKUK-së në Prishtinë me 11 janar 2006. Varrimi i prelatit u bë me 14 janar 2006, në Kishën e “Shën Ndout” në  Binçë të Vitisë.

Vlen të thuhët se imzot Mark Sopi i shihte të bashkuara të dy pjesët përberëse të binomit për “Fe dhe Atdhe”, si dy shtylla të pandashme të ngritjes e civilizimit të kombit tone në përgjithësi. Andaj edhe sot në shenjë të 11 vjetorit të kalimit në amshim nuk mund të e përmbyll këtë pjesë të shkrimit pa ua tërhequr vëmendjen strukturavetë larta lokale e shtetërore anekënd trojeve tona etnike e mergatë, se figura e këtij apostulli të kombit shqiptar, duhet të përjetësohen me ngritjen e busteve, emërtimin e bulevardeve, shesheve e rrugëve, insititucioneve shkencore, e biblotekave.

Të gjithë kombet e emancipuara në botën euroatlantike, i përjetësojnë figurat e tilla, duke i renditur me respekt e konsiderate  në Panteonin e Pergjithëshëm Kombëtar.