.
×

Shënohet 100 vjetori i shkollës “Ali Hasi”, e njohur ndër shkollat e para shqipe



Është shënuar sot në Cërmjan të Gjakovës, 100 vjetori i shkollës “Ali Hasi”, e cila njihet si njëra ndër tri shkollat e para shqipe në Kosovë.

Me këtë rast, në ceremonin e organizuar nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Gjakovës kanë marrë pjesë, kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ish- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, deputet, përfaqësues të institucioneve fetare, partive politike dhe institucioneve arsimore.

Në fjalën e saj kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila tha se Gjakova dha shumë patriot, intelektual dhe njerëz të guximshëm të cilët i përballuan sfidat e kohës dhe arritën që të vendosin baza të forta drejt qëllimit të përbashkët dhe fisnik, për një arsimim dhe edukim të vazhdueshëm ndër breza.“Shkolla për të cilën po flasim, sot po përmbush një shekull, jeta e së cilës na tregon gjithë neve, se filloi me iniciativën e një trimi të madh siq ishte Bajram Curri, dhe u përmbush sërish me trimërin e një mësimdhënësi  tjetër gjatë  luftës së fundit, siq ishte Ali Hasi!

Distanca në mes të këtyre dy patriotëve, përbën një shekull me mund, sakrificë, beteja, luftra dhe sfida, për të mbajtur arsimin gjallë, për të fituar lirinë e mësimit dhe për të përmbushur së fundmi standardet e mirëfillta të një edukimi cilësor”, tha ndër të tjera Kryetarja Kusari-Lila.

Për rendësin e shkollës “Ali Hasi” dhënë në 100 vitet të funksionimit të saj, foli edhe Ministri i Arsimit në Republikën e Kosovës, Arsim Bajrami, i cila tha se shembulli i kësaj shkolle duhet të na shërbej për të ngritur nivelin e edukimit në gjithë Kosovën përmes angazhimit dhe përkushtimit të institucioneve dhe mësimdhënësve.

Nxenësit dhe mësimdhënësit e shkollës “Ali Hasi”, i ka përgëzuar përmes një letre edhe Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, e cila dikur ishte nxënëse në këtë shkollë. Gjithashtu fjalë rasti në këtë organizim kanë mbajtur, ish-kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, nënkryetari i AAK-së Ardian Gjini, Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjakovës Dijana Qarkaxhija, përfaqësues të veteranëve të arsimit, kurse para të pranishmëve është shfaqur edhe një program kulturo-artistik i përgaditur nga nxënësit e shkollës “Ali Hasi”.

Në fund të këtij organizimi në oborrin e shkollës,  është zbuluar edhe simboli i 100 vjetorit të shkollës “Ali Hasi”.

Image

Image