.
×

 SHBA investon 5.3 milionë dollarë për ndërtimin e Akademisë Kosovare për Lidership



Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri dhe zëvendës presidenti i OJQ “Global Neighbors”, nga SHBA, Donald Trott, kanë nënshkruar të premten kontratën për ndërtimin e Akademisë Kosovare për Lidership në qytetin e Mitrovicës.  Me kontratën e nënshkruar, parashihet që  OJQ “Global Neighbors”, nga SHBA, të investoj 5.3 milionë dollarë për ndërtimin e Akademisë Kosovare për Lidership, si shkollë private jo fitimprurëse, ku do të ketë programe që janë për interesin publik dhe për qëllime arsimore, kulturore dhe të komunitetit, në hapësirën prej 38.5 ari, në vendin e quajtur Ekonomia e Qytetit, afër lumit Ibër.

Akademia, që do të ketë disa objekte, do të ndërtohet në faza, ndërsa në të do të edukohen fëmijët prej nivelit parashkollor e deri në klasën e 12-të shkollës së mesme.

Kryetari Bahtiri  pas nënshkrimit të kontratës tha se është kjo edhe një ndihmë shumë e rëndësishme që vjen nga populli mik amerikan, i cili shqiptarëve u është gjetur gjithmonë pranë dhe i ka mbështetur synimet e tyre.

“Jam shumë i lumtur që Global Neighbors ka zgjedhur Mitrovicën për ta bërë me shkollë elitare. Besoj se kjo ndihmë do t’i kontribuoj shumë zhvillimit të edukimit dhe arsimit, por edhe zhvillimit ekonomik në Komunën e Mitrovicës. Ne do të jemi gjithmonë të gatshëm që të bashkëpunojmë për të realizuar programet e zhvillimit të kësaj shkolle, por edhe projektet tjera që do të realizohen”, ka thënë kryetari Bahtiri.

Donald Trott, zëvendës president i Global Neighbors, tha se është po ashtu i lumtur për nënshkrimin e kontratës për themelimin e Akademisë Kosovare për Lidership dhe se ky investim bëhet për të mirën e fëmijëve dhe qytetarëve të Mitrovicës.

“Donatorët që mbështesin ndërtimin e shkollës janë të fuqishëm dhe ata janë treguar solidarë për të ndihmuar qytetarët e Mitrovicës. Do të jetë një shkollë bashkëkohore, e pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme, e cila do të ndërtohet në tri faza. Faza e parë do të filloj brenda gjashtë muajsh, ndërkohë që ne do i përfundojmë procedurat e nevojshme për ndërtim”, tha ai.