.
×

SHBA dhe Kosova në garë për vende në UNESCO



Botapress,4 Nëntor

SHBA dhe Kosova po zhvillojnë garë për vende në UNESCO, SHBA për të ruajtur vendin e saj në Bordin Ekzekutiv, ndërkaq Kosova për t’u bërë anëtare, pas futjes në agjendë me votë të Bordit Ekzekutiv dy javë më parë, transmeton RTK. Vendimi merret deri më 10 nëntor në sesionin e 36-të me radhë që po i zhvillon punimet në Paris.

Për ruajtjen e vendit të SHBA në Bordin Ekzekutiv është angazhuar drejtpërdrejt edhe sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry. SHBA presin se do të ketë rezistencë për rizgjedhje të saj edhe për një mandat tjetër katërvjeçar.

Washingtoni nuk ka paguar detyrimet e anëtarësisë tash katër vjet dhe që nga nëntori 2013 ka humbur të drejtën e votës në Konferencën e Përgjithshme.

Deri më 2011 SHBA paguante rreth 22 për qind të të gjithë buxhetit të UNESCO-s, mirëpo në bazë të ligjeve amerikane në fuqi ndalohet kontributi në organizatat ndërkombëtare nëse ato e kanë njohur shtetësinë e Palestinës. Detyrimet e papaguara të anëtarësisë arrijnë në rreth 300 milionë dollarë.

Kryediplomati Kerry ka deklaruar se Washingtoni është i vendosur që të zgjidhë çështjen e financimit dhe se prania e mëtutjeshme në Bordin Ekzekutiv do ta bëjë më të lehtë bindjen e ligjvënësve për arritjen e një marrëveshje.

“Ne po kërkojmë rizgjedhjen në bordin ekzekutiv, sepse besojmë të dyja edhe SHBA dhe UNESCO do të jenë më mirë,” ka thënë Kerry. Ai ka shtuar se bashkë me presidentin Obama po punojnë me ish kolegët në Kongres që të rivendosin financimin.

“Dhe derisa secili prej jush e konsideron të ardhmen e UNESCO-s dhe udhëheqjen e saj, kërkoj nga ju dhe ju lutem ta shqyrtoni edhe kërkesën e SHBA,” ka thënë Sekretari Kerry.

Në anën tjetër votimi mbi anëtarësimin e Kosovës pritet të mbahet më 9 nëntor ku do të marrin pjesë udhëheqës të shumë vendeve botërore. SHBA, ndonëse pa të drejt vote, hapur ka lobuar tek shumë vende për pranimin e Kosovës në këtë organizatë të specializuar të Kombeve të Bashkuara.

Për më shumë lajme, bëjeni Like duke klikuar këtu