.
×

Shaqir Palushi: Në Frutex taksa rriti të hyrat për 30%, numrin e punëtorëve dhe rrogat për 20%



Më 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës mori vendim që produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja të taksohen 100%. Propozimi erdhi nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, i cili në të njëjtën mbledhje kërkoi edhe largimin e të gjitha produkteve në të cilat shkruan “Kosova e Metohija”.

Qeveria e Kosovës me anë të një sërë vendimesh ka vendosur masa tarifore dhe jo tarifore ndaj Serbisë, si kundërpërgjigje ndaj fushatës së saj agresive për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare siç ishte rasti i anëtarësimit të Kosovës në Interpol si dhe fushatës diplomatike për tërheqjen e njohjeve të shtetit të Kosovës.

Pronari i kompanisë, “Frutex”, Shaqir Palushi, në një intervistë për EkonomiaOnline, thotë se ky vit ka qenë prej viteve më të mira, pasi ka pasur një rritje prej 30 për qind, e që ka pasur ndikim edhe në rritjen e të punësuarve rreth 20 për qind.

“Konkretisht në biznesin tonë ka pasur efekt pozitiv, sepse ka qenë një prej viteve më të mira përkatësisht kemi pas një rritje prej 30% e cila kjo rritje ka reflektuar edhe në rritjen e të punësuarve por edhe në të ardhurat e tyre dhe numri i të punësuarve është rritur rreth 20% po ashtu pagat e punëtorëve janë ngritur për 20%”, thotë Palushi.

Sipas Palushit, edhe përkundër asaj që ka pasur zëra kundër taksës, për prodhuesit kosovarë ka pasur ndikim pozitiv, duke bërë që të fuqizohet edhe më tepër prodhimi.

“Edhe përkundër që na ka rastësisë të dëgjojmë zëra kundër taksës, në efektet ekonomike në radhë të parë për prodhuesit Kosovar ka pas efekt shumë pozitiv sepse për herë të parë kemi pasur mundësi që me produktet tona të jemi shumë më fuqishëm prezent dhe kjo ka bërë që të fuqizohet prodhimi dhe duke rritur kapacitetet dhe të paktën që kanë kontaktet me shumicën e prodhuesve dhe mendoj që te shumica ka pasur ndikim pozitiv.

Diku e ka rritur koston e prodhimit dhe në kompaninë tonë ka pas një rritje rreth 2-3% të rritjes së kostos por ne këtë e kemi mbulu me rritjen e shitjeve dhe në një farë mënyrë ka qenë 10 fishi i asaj që kemi humbur nga ngritja e kostos së prodhimit”, është shprehur ai.