.
×

Sfidë për Kosovën implementimi i strategjive për ndryshimet klimatike



Balkan Green Foundation në kuadër të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë kanë organizuar tryezën e rrumbullakët me temën: “A është Kosova e gatshme për të trajtuar ndryshimet klimatike?”

Ivana Mijatovic Cernos nga Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Veprim Klimatik (DG CLIMA), ka prezantuar objektivat kryesore nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, ku theksoi se sipas kësaj marrëveshje synohet që  ngrohja globale të mbahet nën 2 gradë celsius.

Cernos shtoi se pasi Kosova ende nuk është pjesë e kësaj iniciative, ka implikime që vendi të anëtarësohet në këtë mekanizëm ndërkombëtar.

“Megjithatë nuk po bëjmë sa duhet për klimatikën, rritja e temperaturave është globale, duhet të bëjmë shumë më tepër nga ajo që e kemi caktuar në marrëveshje. Ne synojmë që deri në vitin 2030 të zvogëlohet imitimet me 40 për qind, ndërsa energjia e ripërtëritshme të rritet për 32 për qind”, tha ajo.

Ndërsa, Ilir Muçaj nga Ministria e Integrimit Evropian tha se është sfidues fakti që Kosova nuk është pjesë e marrëveshjes së Parisit.

“Megjithatë MSA-ja është  mjaft e rëndësishme në këtë aspektet pasi nga partneriteti Kosova ka kaluar në marrëveshje kontraktuale edhe në aspektin. Ndryshimet klimatike janë të përfshira në programet e hartuara në Qeveri, ndërsa një set i ligjeve për mbrojtjen e ajrit nga ndotja  janë miratuar dhe janë në zbatim e sipër”, theksoi ai.

Kurse Rinora Gojani nga organizata KOSID, theksoi se Kosova ka rrugë të gjatë për arritjen e nivelit që kërkohet sa i përket ndryshimeve klimatike.

“Kemi vonesa në zbatimin e rregulloreve që i harton Bashkimi Evropian, ne merremi me këto tema pasi ta shkatërrojmë vendin. Duhet të bëjmë më shumë presion në shtyrjen e implementimit të strategjive për ngrohjen globale”, tha  Gojani.

Ndërkaq, Avni Sfishta nga Agjencioni Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), tha se Qeveria gjermane është duke e përkrahur Kosovën në fushën e efiçiencës së energjisë dhe shtoi se janë duke u koordinuar me komunat e  Kosovës për mundësitë që ato kanë për investime në këtë fushë.