[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Serwer: Varet nga Trump nëse Vuçiq do të distancohet nga Rusia



​Ish-diplomati amerikan dhe eksperti për çështje të Ballkanit, Daniel Serwer, ka shprehur pikëpamjet e tij për fitoren e kryeministrit aktual serb, Aleksandar Vuçiqit, në zgjedhjet presidenciale të mbajtura të dielën në Serbi.

 

“Kryeministri Aleksandar Vuçiq ka marrë presidencën në Serbi me një fitore bindëse ndaj opozitës së përçarë në rrethin e parë. Çështja tani është se çfarë do të bëjë ai me pozitën e tij dominuese në politikën serbe”, ka shkruar Serwer në një kolumne të re.

 

Në politikën e jashtme, Vuçiq është luhatur ndërmjet aspiratave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe raporteve të ngushta me Rusinë e Vladimir Putinit, ka kujtuar ish-diplomati amerikan.

 

Serbët kanë arsye ta pëlqejnë këtë qasje, vlerëson Serwer. “Ata i manipulojnë dy palët, duke marrë armë nga Rusia dhe shuma të mëdha parash nga BE’ja, teksa refuzojnë t’i përkrahin sanksionet e BE’së në lidhje me Ukrainën”, shkruan eksperti për çështje të Ballkanit, transmeton Gazeta Express.

 

Serwer vlerëson se përderisa politika amerikane karshi Rusisë mbetet e mjegullt, kjo luhatje i shkon për shtat Serbisë.

 

Nëse Trump bën të veten dhe afrohet me Putinin, Beogradit do t’i hiqen brengat rreth kësaj luhatjeje ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, parasheh ai.

 

E, nëse gjërat shkojnë ndryshe, Serwer mendon se Vuçiq do të gjendet nën trysni të madhe, për të mbështetur sanksionet për Ukrainën dhe për ta rreshtuar Serbinë ashiqare në krah të Perëndimit.

 

Vuçiq është i luhatshëm edhe në skenën e brendshme, thotë Serwer. “Ai pretendon të jetë demokrat i vërtetë dhe reformat, përderisa vëzhguesit e jashtëm vlerësojnë se ai anon nga politikat joliberale: shtypi serb e lavdëron atë dhe i kritikon kundërshtarët e tij, gjykatat s’janë aspak të pavarura, dhe hetimet për korrupsion rrallë herë i prekin njerëzit e afërt të tij”, shkruan ish-diplomati amerikan.

 

“Popullariteti i Vuçiqit është i vërtetë, por atij i mungon një opozitë serioze politike. Rivali i tij më i afërt në zgjedhjet presidenciale – ish-Avokati i Popullit, Sasha Jankoviq, i cili ka reputacion të mirë – ka marrë më pak se një të tretën e votave që ka marrë i pari. Kandidati i tretë ka qenë një komedian i ri, që ka bërë satirë me politikën serbe”, ka theksuar Serwer.

 

Por, si do të jetë e ardhmja? Serwer vlerëson se presidenti i ri duhet ta përqendrohet mbi çështjet afatgjate – të paktën gjatë pesë vjetëve të mandatit të tij, ose gjatë dhjetëve vjetëve, siç shpreson ai – dhe të mos merret me probleme ditore.

 

Eksperti për çështje të Ballkanit përmend tri çështje të rëndësisë së veçantë: hapja e hapësirës për media, në mënyrë që të formohet dhe të funksionojë një opozitë e mirëfilltë; ndërtimi i një gjyqësori të pavarur, që mund të reduktojë dukshëm korrupsionin; dhe shtyrja e Serbisë qartazi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, përfshirë arritjen e marrëveshjeve me Kosovën për çështje të vështira.

 

Por, Serwer e pranon: këto janë kërkesa të mëdha. Dhe, sikur shpreh dyshim se këtë mund ta bëjë Vuçiq.

 

“Vuçiqit i pëlqen të thotë, publikisht dhe privatisht, se nuk luhatet, dhe se ka vendosur definitivisht ta çojë Serbinë në BE, duke mbajtur (siç provojnë të bëjnë shumë vende evropiane) raporte të mira me Moskën”, shkruan Serwer.

 

“Kjo është e vështirë: Moska vitin e kaluar ka sponsorizuar një përpjekje për puç në Malin e Zi, anëtarësimin e të cilit në NATO dëshironte ta bllokonte, duke përdorur edhe njerëz dhe resurse nga Serbia. Vuçiq ka ndihmuar të pengohet përpjekja e Moskës, që kishte për qëllim vrasjen e kryeministrit malazias, Millo Gjukanoviq. Si mund të mbash raporte të mira me njerëzit që bëjnë komplot për puç të dhunshëm kundër një fqinji miqësor?”, shkruan më tej ish-diplomati amerikan.

 

Një fitore e madhe meriton një hap të madh në drejtimin që Vuçiq vërtet dëshiron të shkojë, vlerëson Serwer. Të presim shenja të tjera nga ai, porosit eksperti për çështje të Ballkanit

Menu Title