.
×

“Serbia po pengon anëtarësimin e Kosovës në Interpol për të fshehur gjenocidin e saj”



 

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka komentuar deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq i cili ka thënë se nëse Kosova anëtarësohet në Interpol, atëherë do të ndiqen 5 mijë serb që kanë luftuar kundër saj.

Në një postim në Facebook, Sherifi ka shkruar se Serbia duke penguar anëtarësimin e Kosovës në Interpol, po e fsheh gjenocidin që ka kryer në Kosovë.

Më poshtë postimi i Sherifit:

Pengimi i anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL është në funksion të fshehjes së gjenocidit! Pengimi që Serbia i bën anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL është në funksion të fshehjes së gjurmëve të krimit të gjenocidit!

Vetëm një ditë pas rrëfimit në publik të Vasfije Krasniqit për tmerret që ka përjetuar gjatë luftës së fundit si viktimë e dhunës seksuale, dhunë që sipas të drejtës ndërkombëtare përbën krim të gjenocidit, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq jo vetëm nuk i dënon krimet e kryera në Kosovë, por duke u angazhuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol, vihet në mbrojtje të krejt zinxhirit komandues të forcave të shtetit të tij si dhe të kryesve të krimit të gjenocidit sepse duke i mbrojtur këta ai shpreson se do të arrijë ta fshehë të vërtetën!

E gjithë shoqëria jonë me tërë mekanizmat e shtetit duhet të vihet në veprim që krimi i gjenocidit i kryer nga shteti i Serbisë gjatë luftës në Kosovë të ndriçohet në tërësi.

Krimi i gjenocidit nuk harrohet! Ai do të mbetet në kujtesë të njerëzimit. Pa ndëshkimin e kriminelëve që kryen krimet më të rënda në Kosovë dhe pa vënien në vend të drejtësisë as që mund të flitet për pajtim mes të dy popujve!/BP/