.
×

Senatorët amerikanë përplasen rreth dëshmive të reja kundër presidentit Trump



Senati i Shteteve të Bashkuara i ka bllokuar përpjekjet e vazhdueshme të anëtarëve të Partisë Demokratike për të siguruar dëshmi të reja në procesin hetimor kundër presidentit Donald Trump.

Udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnel e pranoi planin për shqyrtimin e shpejtë të seancave dëgjimore pasi u përball me presionin e bashkëpartiakëve të vet.

Demokratët reaguan kundër këtij plani, duke thënë se ai nuk do të ishte më pak sesa mbulim i shkeljeve të mundshme të presidentit.

Donald Trump akuzohet për keqpërdorim të pushtetit dhe pengim të punës së kongresit. Ai personalisht i ka mohuar këto akuza.

Senatorët janë zotuar se do t’i dëgjojnë argumentet e dëshmitarëve gjashtë orë në ditë dhe gjashtë ditë në javë. Seancat dëgjimore do të udhëhiqen nga kryetari i Gjykatës Supreme, John Roberts.

Kjo është vetëm hera e tretë në historinë e Shteteve të Bashkuara që presidenti i tyre përballet me hetime.

Ky proces mund të përfundojë me shkarkimin e presidentit, por gjasat që një gjë e tillë të ndodhë në praktikë janë të vogla për shkak se shumica e Senatit përbëhet nga anëtarët e Partisë Republikane, pjesë e së cilës është edhe vetë presidenti Trump, shkruan “BBC”.