.
×

Selena Gomez flet për lidhjen me Justin Bieber, e pranon se ai abuzonte me të



Në një intervistë të dhënë së fundmi për NPR (National Public Radio), Selena Gomez foli si rrallëherë hapur për marrëdhënien e saj me Justin Bieber. Ajo rrëfeu si arriti “të shërohej” pas asaj lidhjeje, të cilën e quajti toksike. Për herë të parë, këngëtarja tregoi se kishte qenë viktimë e abuzimit emocional kur ishte me Bieber. Po ashtu, ajo pranoi se kënga “Lose you to love me” është një dedikim për Justin, shkruan Class.

“[Kënga] ka një kuptim tjetër tani, nga koha që e kam shkruar. Kisha nevojë që në një mënyrë të thosha gjërat që nuk i kisha thënë. Nuk është një këngë urrejtjeje, por është një këngë që thotë ‘Kisha diçka të bukur dhe nuk do ta mohoj që ishte e tillë. Ishte edhe shumë e vështirë. Jam e lumtur që ka mbaruar.’ Ndjeva që kjo ishte mënyra që të thosha që ka marrë fund. E kuptoj këtë, e respektoj dhe tani jam në një tjetër kapitull”, -është shprehur Gomez para se prezantuesja t’i thoshte se kënga ishte një ‘mirë u pafshim’ për Justin Bieber.

“Duhet ta përmendje emrin, e kuptoj”, -shtoi Selena.

Më pas ajo u pyet nëse marrëdhënia me Bieber ishte ndër gjërat më të vështira që ka kaluar në jetën e saj.

“Jo, sepse gjeta forcën aty. Është e rrezikshme të qëndrosh në mentalitetin e viktimës. Nuk po tregoj mungesë respekti, unë ndjej se isha viktimë e një abuzimi të caktuar”, -është shprehur ajo duke konfirmuar se ka qenë viktimë e një abuzimi emocional.

Megjithatë, ajo shtoi se ka dalë më së miri ta kalojë atë periudhë.
Bieber, nga ana tjetër, nuk reagoi lidhur me këtë deklaratë të Gomez, por në gusht ai shkroi në Instagram se ka abuzuar me drogën dhe me lidhjet e tij, para se të kërkonte ndihmë të specializuar.

“Fillova të konsumoja shumë drogë në moshën 19-vjeçare dhe kam abuzuar me të gjitha lidhjet e mia. U bëra i hidhur, i inatosur dhe i parespektueshëm ndaj femrave. Krijova distancë me të gjithë ata që më donin. Mendoja se nuk do ta merrja kurrë veten. Më janë dashur shumë vite të rregulloja marrëdhëniet e prishura dhe vendimet e tmerrshme që kisha marrë”, -shkroi ai.
Justin dhe Selena kanë qenë të lidhur kur ai ka qenë 19-vjeç, periudhë së cilës i është referuar në shkrim. Ata i dhanë fund një herë e mirë lidhjes së tyre në vitin 2018. Një vit më vonë, Justin kurorëzoi me martesë dashurinë e tij me Hailey Baldwin.