.
×

Sekretari i LDK’së pret përkrahje nga të gjithë për rrëzimin e Haradinajt në vjeshtë



Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri ka thënë se pret përkrahje nga të gjithë për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. Ndërkohë, për incidentet në LDK’së thotë se janë bërë nga njerëz të partive të tjera me qëllim të dëmtimit të kësaj partie.

Beqiri është shprehur i bindur që zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen sivjet, derisa shpreson se votat për mocionin e mosbesimit do t’i sigurojnë deri në shtator.

“Ne gradualisht do të bëjmë përpjekje që pas procesit zgjedhor që shpresoj se do ta kryejmë tërësisht ne do t’i hyjmë punës dhe sigurisht nuk mund të them më herët, por besoj që shtatori është fillimi i fundit të kësaj qeverie, në aspektin e përgatitjeve tona dhe për të proceduar me mocionin, sigurisht do të na duhet ndonjë votë shtesë. Jam i bindur që brenda këtij viti do të ketë zgjedhje, vjeshta është afati më i mirë”, thotë Beqiri.

Për Beqirin, është e habitshme kur të tjerët deklarojnë se nuk e rrëzojnë Qeverinë Haradinaj me votat e Listës Serbe, pasi siç thotë kjo Qeveri është krijuar me të njejtat vota.

Por, Beqiri thekson se nuk përgatisin mocion me shpresat në Listën Serbe ose në ndonjë marrëveshje me ta.

“Të gjithë deputetëve, sepse nuk mund të ja mohosh askujt me votu ose mos me votu nëse është deputet, por ne nuk do të shkojmë në përgatitjen e mocionit duke besuar që do t’i marrim votat e Listës Serbe, ose me marrëveshje me ta, në asnjë rrethanë ”, ka thënë Beqiri për kp.

Beqiri thotë se janë në bisedime me subjektet opozitare, e edhe njerëz që nuk janë në opozitë, lidhur me mocionin e mosbesimit. Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, flet edhe për zhvillimet brenda LDK-së dhe zgjedhjet që po mbahen në kuvende.

Ndërkohë, për incidentet në LDK, Beqiri thotë se dihen me emra personat e subjekteve të tjera politike të cilët kanë hyrë në tubimet e kuvendeve zgjedhore të nëndegëve të LDK-së, me qëllim të dëmtimit të kësaj partie.

“Nuk ka asnjë dyshim që ka pasur edhe pjesëmarrës, pjesëtarë të subjekteve të tjera, ose që nuk i kanë takuar Lidhjes Demokratike të Kosovës, sidoqoftë, ne na takon të gjithëve me bë përpjekje nëpër degë me i menaxhu situata të tilla, edhe pse është e vështirë, nganjëherë në një masë ku janë 200-300 vetë, mund të infiltrohet kur është dera e hapur mund të hyjë çdo kush…”, thotë Beqiri.

I pyetur se a është zhvendosur vëmendja e LDK-së në proceset brenda partisë, dhe si shkak i kësaj nuk kanë proceduar tutje mocionin e mosbesimit, Beqiri e mohon një gjë të tillë.

Sipas tij, ata që po keq-qeverisin me Kosovën janë të interesuar që të zhvendoset vëmendje në ngjarjet që kanë ndodhur brenda LDK-së, duke bërë përpjekje që të mbulohen skandalet e Qeverisë.