.
×

Së shpejti fillon verifikimi i viktima të dhunuara gjatë luftës



Me 15 janar Zyra e kryeministrit ka planifikuar organizimin e një konference ndërkombëtare për të diskutuar për çështjen e grave të dhunuara gjatë luftës.

Konkluzat e kësaj konference pritet të futen në materien nënligjore për procesin e verifikimit, përmes së cilit të dhunuarave gjatë luftës pritet t’u jepet statusi i viktimave të dhunës seksuale.

Mijëra femra kosovare të dhunuara gjatë luftës këtë vit pritet të hyjnë në skemën e përkrahjes financiare, përmes statutit të viktimës që do t’u jepet atyre. Në këtë mënyrë ato pritet të peshojnë më shumë mbi buxhetin dhe më pak mbi ndërgjegjen e shoqërisë.

Nga Zyra e kryeministrit, i është konfirmuar Radio Kosovës, se është në proces kompletimi, projekt rregullorja dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me formimin e Komisionit qeveritar, për verifikimin dhe njohjen e statusit të viktimave të dhunuar gjatë luftës.

Kjo pritet të intensifikohet pas datës 15 janar, kur është planifikuar të mbahet një konferencë ndërkombëtare, mbi përvojat e vendeve të rajonit rreth çështjes së viktimave të dhunës seksuale në luftë.

Megjithatë ajo që nuk është qartësuar ende është se cilat do të jenë kushtet që kërkohen të plotësojnë ato që i nënshtrohen verifikimit për të marrë këtë status.

Më e vështira mbetet çështja e dëshmive dhe ruajtja e identitetit. Ajo që kërkohet sidomos nga segmentet që janë marrë me rehabilitimin e viktimave të dhunimit është që atyre jo në të gjitha rastet t’u u kërkohen dëshmitarë.

Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të torturës që ka trajtuar viktimat e dhunimit thotë se mënyra e verifikimit duhet të jetë sa më e lehtë dhe sa më pak stresuese për viktimat.

“Nëse mendohet të kenë dëshmitarë okularë ose dëshmitarë që e kanë parë ngjarjen tamam kjo padyshim që do t’i stopoj gratë prej përfshirjes në procesin e kërkimit për beneficionet e tyre. Kjo pasi që është e pamundur dhe i nxjerr ato në opinion komplet dhe më të ndjeshme dhe më të lëndueshme për shoqërinë dhe familjen”, i ka thënë Rushiti, Radio Kosovës
Nëntë njerëzit që janë menduar ta udhëheqin këtë proces, si pjesë e këtij Komisioni, do i përkasin fushave të ndryshme dhe shumica janë staf qeveritar, nga 5 segmente të ekzekutivit.

Pjesë e tij do të jenë nga një përfaqësues i Zyrës së kryeministrit, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Mirëqenies Sociale. Po ashtu do të jetë edhe një jurist, një psikolog klinik, një neuropsikiatër, një përfaqësues i shoqërisë civile dhe një anëtar i Institutit për Krime Lufte.

Në skemën buxhetore të vitit 2015, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, mbi të cilën bie barra e kompensimit ka planifikuar një buxhet rezervë për këtë kategori.

I tërë procesi i verifikimit është përcaktuar të zgjas rreth 5 vite. Brenda kësaj kohe Kosova do të duhet të merret me një nga kapitujt më të ndjeshëm të pasojave të krimeve të luftës, të kryera në Kosovë.

Deri më tani Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës ka identifikuar mbi 80 lokacione, ku supozohet se kanë ndodhur rreth 20 mijë dhunime.